E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Qytetarë, aplikoni për karta identiteti!”

17/05/2009  Kreu i shtetit takon presidentin e OSBE-së

Presidenti i Republikës Bamir Topi gjatë takimit që ka zhvilluar dje me presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zhoao Soares, ka përsëritur kërkesën e tij për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. “Inkurajimi i qytetarëve për të aplikuar për marrjen e kartave të identitetit është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës, por edhe për t’u identifikuar e përfituar shërbime të tjera”, - tha ai. Soares dhe delegacioni që e shoqëronte atë në kuadër të një vizite pune në vendin tonë, u pritën nga kreu i shtetit shqiptar në Pallatin e Brigadave. Kryetari i shtetit nënvizoi evenimentin shumë të rëndësishëm para të cilit ndodhen shqiptarët, atë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në këtë pikë, Presidenti vlerësoi kontributin e OSBE-së, i cili edhe në të kaluarën ka qenë mjaft i rëndësishëm për forcimin e institucioneve në Shqipëri. Gjithashtu numri një i shtetit shqiptar shprehu bindjen se zgjedhjet e 28 qershorit janë prova më e madhe për Shqipërinë drejt integrimit në BE. Ndërsa presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e siguroi Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të OSBE-së për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike. Po dje kreu i shtetit priti delegacion nga Britania e Madhe, si dhe u takua me zëvendëspresidentin e Bullgarisë, Angel Marin. Ky i fundit siguroi mbështetjen e fuqishme që Bullgaria do të japë për Shqipërinë në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›