E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët e Mediut nxisin prokurorëtpër të rifilluar hetimet ndaj Ina Ramës

17/05/2009  Padia e Mediut ndaj Kryeprokurores për publikim hetimi në media

TIRANE- Pas vendimit që mori Prokuroria e Tiranës, për pushimin e hetimeve për kallëzimin penal që ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kreu pak kohë më parë kundër Ina Ramës dhe Sokol Stojanit, ditën e djeshme avokatët e deputetit Mediu kanë kryer në akuzën kryeqytetase një ankimim kundër këtij vendimi, që sipas tyre është i paligjshëm. Rreth orës 13:00 avokatët janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën kanë kryer një ankimim kundër vendimit të marrë pak kohë më parë nga kryeprokurori i rrethit Genti Xholi. Mësohet se në këtë ankimim i kërkohet prokurorit Xholi, të rifillojë përsëri hetimet si dhe të kryejë një proces të paanshëm, pasi vendimi për pushimin e këtij kallëzimi është marrë pa kryer asnjë verifikim apo veprim hetimor që mund ti shërbente çështjes. Sipas pretendimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, kallëzimi që kreu ndaj Kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit Sokol Stojanit, nga momenti protokollimit dhe deri në marrjen e vendimit për pushimin e tij, ka qëndruar në zyrën e prokurorit të rrethit Genti Xholi. Duke qëndruar mbi tavolinën e këtij të fundit, nënkuptohet qartë se për zbardhjen e problematikës që shtrohej në kallëzim nuk është kryer asnjë veprim hetimor. Aktualisht nuk dihet me saktësi nëse Prokuroria e Tiranës do të rinisë përsëri hetimin për Kryeprokuroren Ina Rama dhe prokurorin Sokol Stojani, të cilët u paditën nga Mediu për “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrjen e të dhënave hetimore në media”. Në padinë e Fatmir Mediut thuhet se “më datën 25 prill 2008 Ina Rama, në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë në hetimin e çështjes referuar më lartë, kanë organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, duke jo vetëm publikuar në mënyrë të paligjshme përmbajtjen e aktit procedural të heqjes së imunitetit tim si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe duke i shpërndarë gazetarëve të pranishëm kopje të këtij akti”. Ndërsa padia për Stojanin kishte të bënte me disa mesazhe që sipas Mediut, Stojani ua kishte nisur disa gazetarëve.

Ndjesë për Fallziç

TIRANE- Kallëzimi penal që bëri Fatmir Mediu kundër Ina Ramës, për këtë të fundit nuk është i vetmi precedent i hidhur që është shënuar gjatë punës së saj si prokurore. Jo më larg se katër ditë më parë Damir Fazllic njëri prej personave të hetuar nga Ina Rama, i ka kërkuar publikisht kësaj që ajo ti kërkojë falje, pasi procedimi penal që Prokuroria filloi ndaj tij dhe bizneseve që ka në Shqipëri, u pushua si pasojë e mosgjetjes së fakteve që do të implikonin në afera kriminale biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. “Kryeprokurorja Ina Rama më detyrohet falje publike për përbaltjen e imazhit tim. Prokuroria hetoi biznesin tim edhe në shtete të tjera dhe nuk gjeti asnjë shkelje. Akuzat ndaj meje kanë qenë të motivuara politikisht”, ka deklaruar Fazlliç. Sipas tij, pushimi i çështjes është një vendim që i dha fund luftës që kishte nisur ndaj tij, një sulm i motivuar politikisht. Ai ka shtuar më tej, se ky duhet të jetë një mësim i mirë për Prokurorinë.

Mediu dhe Gërdeci

TIRANE- Fatmir Mediu është njëri prej personave që është marrë i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme për tragjedinë e Gërdecit, ku u vranë 26 persona dhe u plagosën plot 300 të tjerë. Pas komunikimit të akuzës nga anëtarët e grupit hetimor të kësaj çështjeje dhe pas dërgimit të disa sms në një emision televiziv, ku i ftuar ishte Mediu, ky i fundit zgjodhi të padisë në prokurori Kryeprokuroren Ina Rama dhe prokurorin Sokol Stojani. Më datë 25 prill 2008 Ina Rama si prokurore e përgjithshme, bashkë me prokurorin e çështjes kanë kryer veprën penale të dhunimit të të dhënave sekrete dhe të shpërdorimit të detyrës. Sipas tyre, janë publikuar në mënyrë të qëllimshme të dhëna hetimore, të cilat mediat i kanë interpretuar se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka qenë personi kryesor që ka lejuar kryerjen e aferave korruptive në punishten e Gërdecit. Aktualisht dosja “Gërdeci” është dërguar në Gjykatën e Lartë me plot 29 të pandehur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›