E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Rama dhe Topalli mesazhe ngushëllimi familjes së ish-deputetit Çukaj

UPDATE - Kryetari i shtetit dhe drejtuesja e parlamentit i kanë dëruguar mesazhe ngushëllimi familjes së të ndjerit, Lekë Çukaj, ish-deputet i PS-së për Shkodrën në dy legjislaturat e shkuara. Ai u nda mbrëmë nga jeta si pasojë e nje aksidenti tragjik në Fushë-Krujë.

Në mesazhin e Topit shkruhet: "Në këto momente dhimbjeje e hidhërimi për humbjen e njeriut tuaj të dashur, dëshiroj të jem pranë jush për t'ju ngushëlluar dhe për të ndarë së bashku këto çaste të vështira njerëzore e familjare. Ndarja e parakohshme dhe tragjike nga jeta e Lekës erdhi e rëndë për të gjithë ne, miqtë, kolegët, dashamirësit, bashkëpunëtorët e tij si dhe u përjetua thellësisht".

Edi Rama, në emër të Partisë Socialiste, i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Cukaj, duke vlerësuar kontributin e dhënë nga i ndjeri Lekë Cukaj gjatë legjislaturave që ka shërbyer si deputet i Parlamentit të Shqipërisë. "Ndarja e parakohshme nga jeta e ish deputetit Lekë Cukaj ishte një ngjarje e tragjike për të gjithë miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët e tij. Leka Cukaj do të mbahet mend si një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij", thuhet me mesazhin e liderit socialist.

Ndersa, ne mesazhin e percjelle nga Topalli shkruhet: "Humbja e jetës në aksident fatal e ish deputetit të Partisë Socialiste për dy legjislatura, Lekë Çukaj ishte një lajm i hidhur për të gjithë kolegët, dashamirësit, miqtë dhe veçanërisht për familjen e të ndjerit. Në këto çaste fatkeqësie, dhimbjeje dhe momenteve të vështira, u shprehim fëmijëve, bashkëshortes dhe të afërmve ngushëllimet më të thella për këtë humbje të parakohshme të personit të tyre të dashur".

Ish-deputeti socialist Lekë Çukaj, vdiq mbremë në një aksident tragjik në aksin Fushë-Krujë - Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në Nikël të Krujës, ndërsa nga përplasja e dy automjeteve kanë gjetur vdekjen dy vetë, ndërsa tre janë plagosur. Nga vendngjarja bënë të ditur se shkak për aksidentin e rëndë dyshohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara e të dyja automjeteve.

Burime nga policia shprehen se aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 20:20 të ditës së dielë. Dy automjete tip "Benz" përkatësisht me targa TR 8959 R dhe SH 0252 E janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si rrjedhojë kanë humbur jetën 60-vjeçari Lekë Çukaj dhe Hasan Guçi, 58 vjeç. Mësohet se i pari ka qenë në drejtimin e automjetit me targa të Tiranës dhe i dyti në atë me targa të Shkodrës. Ndërkohë, është plagosur dhe ndodhet në gjendje shumë të rëndë bashkëshortja e Hasanit, Ana Guçi, e cila është dërguar menjëherë në spital dhe janë plagosur dy shtetas të tjerë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Nikël të Krujës përgjatë superstradës Fushë-Krujë - Tiranë.

Burime nga policia shprehen se përplasja e automjeteve ka qenë kokë më kokë çka ka çuar edhe në pasojat e rënda, nisur dhe nga shpejtësia e madhe. Në kushtet e një pamje të kufizuar, si dhe kushteve të këqija atmosferike, shmangia ka qenë edhe më e vështirë.
Dëshmitarë në vendngjarje shprehen se dy drejtuesit janë nxjerrë gjallë nga makinat dhe janë nisur në drejtim të Tiranë, por gjatë rrugës kanë gjetur vdekjen për shkak të hemorragjisë dhe frakturave të brendshme.

Në vendin e aksidentit, aksi rrugor është bllokuar për një periudhë kohëore, pasi automjeti i Çukajt ndodhej në mes të rrugës. Ndërkohë, mjeti tjetër ka dalë jashtë rrugës dhe ka rënë në kanalin anësor. Sipas burimeve zyrtare të policisë, shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia e madhe e dy drejtuesve të mjeteve, reshjet e shumta të shiut të shoqëruara edhe me mjegull.

Hasan Guçi mësohet se ishte militant i Partisë Socialiste. Ai jetonte në Shkodër dhe dje bashkë me të shoqen po ktheheshin nga Tirana për në qytetin e tyre. Në Shkodër ata zotërojnë një lokal para selisë socialiste, ku hera-herës zhvillohen edhe takime. Ndërkohë, Lekë Çukaj, ish-deputet i PS-së po shkonte në drejtim të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›