Bashkia e Tiranës publikon debitorët, në listë ministritë
TIRANË- Shumë prej institucioneve qeveritare rezultojnë debitorë ndaj Bashkisë së Tiranës, pasi nuk kanë shlyer taksat dhe tarifat ndaj saj.
Sipas zyrës së shtypit pranë bashkisë, ministritë me institucionet e tyre të varësisë nuk kanë likuiduar taksat që i detyrohen bashkisë.
Sot bashkia, i ka kujtuar të gjithë funksionarëve të shtetit si edhe drejtuesve të institucioneve borxhlije, të cilët janë përgjegjës në mënyrë direkte për borxhet publike ndaj qytetarëve dhe Bashkisë së Tiranës, se ky qytet mund të funksionojë dhe të vazhdojë të zhvillohet, vetëm nëse të gjithë ata që përfitojnë nga shërbimet që pushteti vendor ofron, paguajnë detyrimet e tyre në kohë.
"Tiranën Europiane mund ta ndërtojmë vetëm nëse të gjithë jemi të përgjegjshëm, dhe kjo përgjegjësi duhet të fillojë në radhë të parë nga funksionarët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve qeveritare, të cilët fatkeqësisht, shumicën e orarit zyrtar të punës e shpenzojnë duke shpifur e trilluar, në kurriz të Bashkisë së Tiranës"-tha zëdhënësja e bashkisë.
Vetëm pak ditë më parë, bashkia bëri publike emrat e disa funksionarëve të lartë të shtetit, kryesisht Ministra e Zëvendësministra, të cilët nuk kishin shlyer detyrimet e tyre si qytetarë të Tiranës, duke lënë pa paguar taksat dhe tarifat pranë Bashkisë së Tiranës.
Pas kësaj, një pjesë e tyre shlyen detyrimet e tyre karshi Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve të kryeqytetit.
Lista e institucioneve debitore
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, së bashku me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Mbrojtjes, me institucionet e saj të varësisë
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Ministria e Brendshme
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit
Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e saj të varësisë.