Publikohet në Fletoren Zyrtare Akti Normativ, qeveria, puç Parlamentit
Anilejda Shëmbitraku
Dje është publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 161 Akti Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10.142, datë 15.5.2009, ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipëris뒔, pa u miratuar në Parlament.
Shkelja
Në seancën parlamentare të datës 16 dhjetor është shtyrë diskutimi i Aktit Normativ për në seancën e radhës. Duke u mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë, Akti Normativ nuk mund të marrë fuqi ligjore nëse nuk është miratuar me shumicë votash në Parlament. Ndërkohë që publikimi në Fletoren Zyrtare automatikisht i jep këtij akti fuqi ligjore 15 ditë që pas ditës së publikimit. Ky akt ka ngjallur debate shumë të mëdha jo vetëm në përfaqësitë e shtresave që preken, por edhe në grupimet e ndryshme politike. Miratimi i Aktit Normativ për pensionet e ushtarakëve pritej që të përbënte përplasjen e radhës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime nga LSI-ja kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se kjo parti është kundër projektit të ri të qeverisë për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve. Sipas burimeve, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ose pritej që të mos merrnin pjesë në procesin e votimit në seancë, ose të abstenonin për këtë akt normativ. Ajo që është e sigurt është se LSI-ja nuk do t`i bashkonte votat me Partinë Demokratike për të miratuar këtë draft. Kjo për faktin se Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron shtresën e ish-ushtarakëve si elektorat të majtë, pra mbështetës të kësaj partie dhe nuk mund të dalë kundër interesave të kësaj shtrese në prag të zgjedhjeve lokale. Gjithsesi, publikimi i Aktit Normativ në Fletoren Zyrtare ka “shpëtuar” dhe LSI-në nga sikleti i daljes kundër bashkëqeverisësve.
Efekti
Akti Normativ është kundërshtuar gjerësisht nga të gjitha përfaqësitë e grupeve të interesit që ai prek. Kjo për shkak të ndryshimeve të mëdha që ky akt, tashmë i ligjëruar, do të sjellë në përfitimet suplementare të tyre. Projekti, përsa u takon përfitimeve, parashikohet t’i shtrijë efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”. Ndërsa norma e re e kontributeve do të hyjë në fuqi nga data 1.1.2011. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Akti normativ
Ndryshimet që ulin përfitimin e ushtarakëve
1- Paga referuese mbi të cilën llogariteshin pensionet u nënshtrohet taksave.
2- Rritet niveli i kontributeve që duhet të paguajnë ushtarakët nga 2% në 5%.
3- Pensioni i parakohshëm është 1.5% e pagës mesatare referuese mujore neto.
PARLAMENTI
Shtyrja e votimit të Aktit Normativ
“Seanca plenare vendosi të shtyjë shqyrtimin e disa pikave të rendit të ditës, si: projektligjin “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”; projektligjin “Për krijimin e shoqërisë ‘Nxitja e Biznesit Social’ sh.a.”; Akt Normativ Nr. 5, datë 10.11.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10.142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”; projektvendimin ”Për një shtesë në Vendimin Nr. 95, datë 30.4.2007 ‘Për miratimin e strukturës dhe organikës së Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike’ dhe projektvendimin ‘Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipëris뒔, ky ka qenë njoftimi i zyrës së shtypit të Parlamentit shqiptar më 16 dhjetor pas mbylljes së seancës parlamentare.
Ndryshimi
Para këtyre ndryshimeve, neni 4, paragrafi 2, i Ligjit Nr. 10142, thoshte: “Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Me vendimin e djeshëm, tashmë për efekt të llogaritjes së përfitimeve paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, plus tatimin mbi të ardhurat personale, plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pasoja
Nenit 4 të Ligjit Nr. 10142 i është shtuar dhe një paragraf 5, ku thuhet: “Kudo ku, në këtë ligj, për efekt të llogaritjes së përfitimeve, përdoret shprehja ‘pagë mesatare referuese’, do të zëvendësohet me shprehjen ‘pagë mesatare referuese neto’, ndërsa shprehja ‘pagë referuese’ zëvendësohen me ‘pagë neto referuese’”. Në bazë të këtij ndryshimi që i është bërë ligjit llogaritja e pensionit nuk bazohet më mbi pagën mesatare referuese, por mbi pagën mesatare referuese neto. Pra, shprehja në ligj: “Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore” pëson ndryshim: “Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50% e pagës mesatare referuese mujore neto”.
Kontributet
Ushtarakët duhet të paguajnë 5% kontribute
Një ndryshim tjetër në Ligjin Nr. 10142 është bërë në nenin 5, pika 3. Në këtë pikë thuhej që “Personat e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, gjatë kohës që janë aktivë, paguajnë kontribut
shtesë në masën 2 për qind të pagës referuese”, ndërkohë që masa e kontributeve dje, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka ndryshuar nga 2% në 5%. Kontributet shtesë llogariten mbi pagën referuese mujore, në përputhje me të njëjtat rregulla, procedura afat-pagese dhe kontribute, si për sigurimin shoqëror të detyrueshëm.
18 Dhjetor 2010