Topi: Rikandidim si President, nëse do votonte populli
“Unë kam një mbiemër dhe memorie të fortë, nuk harroj kollaj. Gjuha kocka s`ka por kocka thyen.”Kjo ka qenë deklarata e Presidentit të Republikës Bamir Topi në emisionin e”Tonight” të gazetares, Ilva Tare në lidhje me mundësinë e një pajtimi me kryeministrin e vendit Sali Berisha. Në një rrëfim të tij prej 2 orësh zoti Bamir Topi ka prekur një sërë çështjesh të rëndësishme duke rrëfyer të thëna e të pa thëna, për një aktualitet politik terësisht të zhurmshëm. Duke u ndalur përsëri në raportin Topi-Berisha, ai ka mohuar dhe hedhur poshtë çdo lloj marrëveshje “postesh” për të ardhmen apo dhe për vetë marrjen e postit të Presidentit më 20 Korrik të 2007-tës, duke theksuar se ky post ishte ofertë e Berishës dhe jo kërkesë e tij.
Lidhur me ngjarjet e trumpetuara të 21 janarit Presidenti është shprehur se ndërgjegjja e tij është tërësisht e pastër, pasi ka mbajtur qëndrimin e duhur. Ndërsa ka lëshuar akuza të ashpra ndaj klasës politike për një gjuhë të tensionuar dhe aspak të denjë për një vend që pretendon të integrohet në BE. Më tej ai ka prekur dhe situatën e drejtësisë shqiptare duke shpërndarë përgjegjësisitë e reflektimit të mungesës së besueshmërisë nga shqiptarët, në trekëndëshin Presidencë-Parlament-Ministër i Drejtësisë. Madje këtë të fundit e ka akuzuar dhe për mungesë përgjegjësie në çeshtjen e amnistive, duke u mohuar kështu një të drejtë legjitime shumë të burgosurve.
Për të ardhmen e tij politike dhe mundësinë e krijimit të një partie, zoti Topi është treguar shumë i rezervuar duke mos përcaktuar afate konkrete por duke e lënë një çështje të hapur deri në mbarimin e mandatit të tij si President. Se do të jetë kjo parti e djathtë, e qëndrës, edhe kjo ka mbetur një dilemë, por Topi ka theksuar se një betejë politike e pret dhe foleja e tij partiake do të jetë e hapur për këdo që do të aderojë në të, duke ju referuar këtu një grupi të konsiderueshwm deputetësh të larguar nga PD.
Më tej Topi ka komentuar dhe deklaratën e tij përballë gazetarëve duke thënë se do të rikandidonte si President vetëm nëse do të votohej direkt nga populli.
“Unë isha i qartë në komunikimin tim të djeshëm me gazetarët.Mbas një viti nuk do të jem më President. Ka gjithmonë nevojë për qarkullim elitash.Unë do të shprehesha ndryshe vetëm nëse do të votohesha nga populli. Për sa kohë të vendosin partitë politike le ta zgjidhin vetë një situatë të tillë”.
Ndërsa i ashpër ka qenë dhe reagimi i tij lidhur me negociatat mes dy qeverive Shqipërisë dhe Greqisë për paktin detar duke bërë të qartë se nëse shmanget nga ky proces, kjo marrëveshje nuk do të marrë miratimin e tij.
“Së pari, nuk kam asnjë informacion zyrtar që kanë filluar negociatat. Së dyti, nëse do të kishte kaluar ajo marrëveshje në parlament pa marrë plotfuqinë e presidentit, ju siguroj se nuk do ta kishte marrë miratimin e presidentit. Edhe nëse po negociohet tani pa dijeninë time, do të kthehet. Gjithsesi nuk e besoj se negociatat kanë filluar”, tha Topi.
Së fundi Presidenti Topi ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjeve, ndërsa tha që dhe vetë do të jetë prezent në Shqipëri për të festuar këtë festë të rëndësishme me bashkombasit e tij.