Topi-Selamit: Je zvarranik që përdoresh nga Berisha
Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi ka sulmuar ashpër kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, Eduard Selami pas deklaratës të këtij të fundit, se FRD-ja nuk përfaqëson të djathtën shqiptare. Topi e cilësoi Selamin si një zvarranik i cili po përdoret nga kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se sot në radhët e Partisë Demokratike sot gjenden anëtarë të së majtës shqiptare si Islami dhe Lufter Xhuveli.
Akuzat
Kam dëgjuar që partia në pushtet dhe kryeministri ka hedhur për të bërë politikë disa individë që ose kanë humbur kontaktin prej 20 vitesh me realitetin, ose po përdorin si viruse, kolona të pesta për të çoroditur mendjen e njerëzve. I them këtij individi pa dinjitet, që u mendua të ishte figurë dinjitoze, po përfundoi si zvarranik që vjen pas 20 vitesh, duke iu thënë njerëzve që FRD nuk përfaqëson të djathtën, po i them se ju jeni duke bërë fushate sot për Lufter Xhuvelin, Islamin dhe të tjerë. Sa poshtë jeni, e nisët më të përndjekurit dhe e përfunduat në një politikë mjerane, të xhaketave të kthyera të njerëzve pa personalitet, akuzoi kreu i FRD-së, Bamir Topi. Këto deklarata Topi i bëri gjatë vizitës në ish-lagjen e tij, 17 Nëntori në kryeqytet. Gjatë bisedës me banorët e kësaj zone akuzoi qevrinë se ka lënë pas dorë këtë pjesë të kryeqytetit. Sot politikanët po krijojnë bllokun dhe bllokmenët e rinj të cilët janë njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin. Ne nuk mund ta lejojmë, që njëra pjesa e kryeqytetit të lidhet me tre rrugë shumë të bukura dhe një tjetër pjesë e qytetit të lihet komplet në harresë, tha Topi. Në vijim, kreu i FRD-së hodhi akuza edhe në drejtin të Televizionit Publik Shqiptar. Ju jeni dëshmitarë se si Televizioni Publik i cili paguhet nga taksat tona është kthyer në një televizion privat të Sali Berishës dhe Jozefina Topallit. Ndaj për të larguar këtë qeveri dhe për ta vënë pushtetin në shërbim të shtetit, ju bëj thirrje të mos lejoni që votën tuaj ta përdorë dikush tjetër, u shpreh Bamir Topi. Kreu i FRD-së foli gjithashtu edhe për fushatën zgjedhore dhe çështjen e votës, duke kërkuar pjesëmarrje masive në zgjedhje. Ne sot po shohim se si njerëz pijanecë, që herë pajtohen dhe herë zihen me pushtetin vijnë e kërkojnë votën duke harruar gjithçka. Tiranasit kanë një rreth familjar, shoqëror dhe miqësor të madh dhe unë ju kërkoj të përcillni këtë mesazh: Dilni dhe votoni masivisht. Vendosni për të ardhmen e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, tha Topi.