E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi Sovraniteti i Kosoves eshte i pakthyeshem e i paprekshem

Presidenti i Republikës se Shqipërisë Bamir Topi u shpreh sot përmes një qëndrimi të publikuar në faqen e internetit se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në Veri të Kosovës, rritjen e tensionit dhe aktet e dhunës, me pasojë humbjen e jetës së anëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zyberi. Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zyberi për humbjen e pazëvendësueshme të të dashurit të tyre dhe Policisë së Kosovës për humbjen e kolegut të rënë në krye të detyrës.

Presidenti Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm. Kreu I shtetit shqiptar dënon aktet e njëanshme të dhunës, duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthimin të normalitetit afatgjatë.

Presidenti i Republikës se Shqipërisë mbështet dhe inkurajon vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar atë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhënien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›