Topi: Të thellohen marrëdhëniet me Maqedoninë
Gjatë takimit, Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat si dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivele të larta për intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare në fusha me interes të ndërsjellët si infrastruktura, turizmi, transporti, ku një rëndësi të veçantë merr Korridori VII. Kreu i shtetit shprehu mbështetjen e plotë institucionale për aspiratat integruese të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane duke e siguruar Ministrin e Jashtëm maqedonas për gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të ofruar e ndarë me vendin fqinj gjithë përvojën tonë integruese. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm maqedonas, Miloshovski, shprehu urimet më të mira për rrugën e suksesshme integruese të përshkuar ndërkaq nga vendi ynë duke ndarë bindjen se së shpejti, duke shtuar përkushtimin e saj, edhe Maqedonia do të arrijë të realizojë aspiratat e saj integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian.