E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Vjeshta të sjellë dialogun

Presidenti Bamir Topi deklaroi dje nga Ohri, ku ndodhet në samitin e krerëve të vendeve të rajonit, se pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, e me fillimin e sezonit parlamentar të vjeshtës në Shqipëri, shpreson të nisë një fazë e re e dialogut politik, në shërbim të së ardhmes integruese të vendit. Kjo, sipas Topit, përfshin ndryshime në legjislacionin zgjedhor, por edhe në miratimin e ligjeve mjaft të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian. Në takimet dypalëshe, bashkëbisedimin e parë, Topi e pati me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Presidenti vlerësoi aksionin diplomatik të Jahjagës për rritjen e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në funksion edhe të njohjeve të reja. Gjatë takimit me homologun Maqedonas, Gjorgje Ivanov, ndërsa ka përshëndetur ecurinë e këtij vendi në rrugën e integrimit, Topi vlerësoi edhe rolin e faktorit shqiptar në vend, i cili siç nxitet edhe nga Shqipëria, është një element stabiliteti, bashkëpunimi dhe kohezioni të brendshëm. Në një tjetër bashkëbisedim, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rolin personal të Presidentit Topi në këtë drejtim. Në konferencën për shtyp para medias, Topi inkurajoi Vujanoviç që në Samitin e IV të ftohet edhe Presidenti serb Boris Tadiç. “Unë e kuptoj që çdo vend, çdo lider ka problemet e veta të karakterit të brendshëm, por kjo është përmasa e liderit, që përderisa dominant në jetën e shoqërisë serbe për të ardhmen do të jetë Bashkimi Europian, unë do të uroja që edhe Presidenti Tadiç t’i bashkëngjitet kësaj tryeze”, tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›