Këshilli Bashkiak i Tiranës, PD e kërkon në Kolegj
TIRANË- Beteja për Tiranën në Kolegjin Zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Kësaj here, ka qenë Partia Demokratike, ajo që i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor me qëllim shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës. Arsyeja është e thjeshtë;
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë aktin për shpërndarjen e mandateve për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke shtyrë në këtë mënyrë edhe momentin e marrjes së detyrës nga kryebashkiaku i ri, Lulëzim Basha. Me katër vota pro dhe dy kundër, KQZ-ja nuk ka mundur t’i japë vlerë aktit të saj, për shkak se në bazë të Kodit Zgjedhor, ndarja e mandateve duhet të bëhet me të paktën 5 vota pro. Për këtë arsye, kësaj here, si palë e interesuar ka qenë PD-ja, e cila i ka kërkuar formalisht Kolegjit Zgjedhor shpërndarjen e mandateve, sipas përllogaritjes së KQZ-së, ku koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 këshilltarë dhe “Aleanca për të Ardhmen” 27 të tillë. “PD-ja ka kërkuar në KQZ aktin e rrëzuar, për ta kaluar atë më pas për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor. KQZ, përmes aktit të shpërndarjes së mandateve dhe për faktin që askush nga palët nuk pati ankesa ose shqetësime në raport me shpërndarjen e këtyre mandateve e quan të mbyllur si procedurë”, - tha dje zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli. Kërkesa drejtuar Kolegjit Zgjedhor është konfirmuar dje edhe nga përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. Nga ana tjetër, PS-ja ka argumentuar arsyen e mungesës së një nisme të tillë. “KQZ-ja ka miratuar një tabelë përmbledhëse në kundërshtim të hapur me ligjin. Edhe mund ta kishim ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, por nuk e bëmë për arsye se siç edhe u shprehëm në KQZ, Kolegji Zgjedhor për rastet e komunave merr vendime të drejta, ndërsa rasti i bashkisë së Tiranës është një peshë, që ata asnjëherë nuk kanë dashur dhe tentuar ta marrin përsipër për të zgjidhur problemin”, - tha dje Eridion Salianji, përfaqësues ligjor i PS-së në KQZ. Megjithëse në tabelën përfundimtare të rezultatit për këshillin bashkiak, KQZ-ja përllogariti të gjitha votat e gjetura në kutitë e gabuara, socialistët u shprehën kundër, duke kërkuar që votat e gjetura të shpërndaheshin në tabelat e çdo qendre votimi. Në anën tjetër, demokratët u shprehën se përfaqësuesit e majtë, pavarësisht se votuan kundër tabelës së rezultatit, ata nuk e ankimuan atë në Kolegj, (duke e lënë në fuqi), çka bën që ajo të jetë ligjore dhe për rrjedhojë dhe ndarja e mandateve e rregullt. Vendimi i Kolegjit për shpërndarjen e mandateve pritet të mos sjellë surpriza, sa kohë që vetëm pak ditë më parë,
Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e PD-së, urdhëroi shpërndarjen e mandateve për këshillat minibashkiakë të Tiranës. Në mungesë të PS-së (e cila nuk pranoi të merrte pjesë), Kolegji urdhëroi në unanimitet shpërndarjen e mandateve për këto këshilla, sipas përllogaritjes së bërë nga KQZ-ja, në bazë të rezultatit të secilës prej KZAZ-ve.
N.P