Kolegji zbardh vendimin: Kërkesa për pavlefshmëri jashtë afateve
TIRANË- Brenda afatit të përcaktuar ligjor (3 ditë nga marrja e vendimit), Kolegji Zgjedhor ka zbardhur dje argumentimin e plotë të vendimit për rrëzimin e kërkesë padisë së Partisë Socialiste, si të pabazuar në ligj. Në kërkesën e fundit ankimore, Partia Socialiste kërkoi zyrtarisht anullimin e vendimit Nr. 1160 datë 28/06/2011 të KQZ-së “Për mos pranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 164 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe gojarisht edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Pesë anëtarëve të trupit gjykues që shqyrtuan çështjen u janë dashur vetëm dy faqe argumentim nga ana e tyre, për të deklaruar se dy kërkesat ankimore të PS-së janë të pabazuara në ligj. Kolegji Zgjedhor çmon që në krye të argumentimit se me daljen e vendimit të KQZ-së nr.711 datë 23.5.2011, që ka vendosur miratimin e tabelës së rezultateve dhe ka shpallur kandidatin fitues, paditësit i ka lindur e drejta për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, në referim të neneve 160, 161 të Kodit Zgjedhor. Por kundër këtij vendimi, paditësi (PS) për garantimin e të drejtës së tij të pretenduar të cenuar, në cilësinë e subjektit zgjedhor, me vullnetin e vet, ka zgjedhur të kundërshtojë vendimin për nxjerrjen e rezultatit dhe nuk ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Për pasojë, Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3 ditor të së drejtës për tu ankuar, apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. “Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor, (që është 3 ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet, pasi është afat prekluziv”, - thuhet në vendimin e Kolegjit. Sipas trupit gjykues, e drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve, apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit 3 ditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim, apo për të kërkuar pavlefshmëri. Kolegji argumenton gjithashtu se pretendimi i ngritur nga pala paditëse se jemi para një rezultati të ri, të pasqyruar në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar, i shpallur me vendimin nr.1158 datë 25.6.2011 të KQZ, nuk qëndron, pasi ky rezultat ka ekzistuar që kur është dhënë vendimi nr.711 datë 23.5.2011. I pabazuar, sipas pesë anëtarëve të trupit gjykues, është edhe pretendimi tjetër i ngritur në kërkesëpadi "për detyrimin e KQZ-së që të nxjerrë vendim". “KQZ, ndonëse nuk ka shqyrtuar çështjen në themel, për shkak të mos-ushtrimit të së drejtës së kërkimit për pavlefshmëri të zgjedhjeve brenda afatit 3 ditor, përsëri në zbatim të nenit 130 të Kodit Zgjedhor, ai ka dalë me një vendim. Në kushtet e ekzistencës së një akti administrativ, vendimit të KQZ-së nuk mund të kërkohet detyrimi i palës së paditur të nxjerrë vendim, pasi ky vendim ekziston”, - thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, vendim i cili është firmosur nga të pesë anëtarët e trupit gjykues.
Kolegji zgjedhor vlerëson se:
-Mënyra e rregullimit të kërkimit të pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenet 160-161 të Kodit Zgjedhor, dallon nga llojet e ankimeve të tjera, çka rezulton edhe nga përmbajtja e nenit 132/2 e Kodit Zgjedhor, duke i dhënë prioritet shqyrtimit të pavlefshmërisë, në raport me shqyrtimin e ankimit për kundërshtimin e tabelave përmbledhëse.
Në rastin konkret, me vendimin nr. 711 datë 23.5.2011 të KQZ janë nxjerrë rezultatet përfundimtare për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, akt administrativ i cili është kontestuar prej palës paditëse me kërkesëpadinë nr.70, akti datë 6.6.2011, për të cilin Kolegji Zgjedhor është shprehur me vendimin nr.67 datë l3.06.2011. Baza ligjore e këtij kërkimi i referohej përmbajtjes së nenit 123 të Kodit Zgjedhor, me pretendimin se nga ana e palës së paditur KQZ, është realizuar një procedurë ndryshimi të tabelave të rezultateve të QV- ve, model 56-11. Ky ndryshim ka sjellë si pasojë ekzistencën e diferencës së votave, në favor të kandidatit të subjektit zgjedhor Partia Demokratike e Shqipërisë, i cili
është palë në këtë proces gjykimi. Kolegji Zgjedhor çmon se me daljen e vendimit të KQZ-së nr.711 datë 23.5.2011, që ka vendosur miratimin e tabelës së rezultateve dhe ka shpallur kandidatin fitues, paditësit i ka lindur e drejta për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, në referim të neneve 160, 161 të Kodit Zgjedhor. Kundër këtij vendimi, paditësi për garantimin e të drejtës së tij, të pretenduar të cenuar, në cilësinë e subjektit zgjedhor, me vullnetin e vet, ka zgjedhur të mbrohet me kërkimin në përputhje me nenin 123 të Kodit Zgjedhor, duke kundërshtuar vendimin për nxjerrjen e rezultatit dhe nuk ka kërkuar pavlefshmërine e zgjedhjeve. Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3 ditor të së drejtës për tu ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor, (që është 3 ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet, pasi është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125 me titull "Llogaritja e afateve" të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar "Ankimi në rrugë administrative, i vendimeve të Komisioneve Zgjedhore", pika 5 përcaktohet se: "nuk mund të ketë rivendosje në afat". Afati për kërkimin e pavlefshmërisë të zgjedhjeve dhe të kundërshtimit në KQZ të vendimeve të KZAZ-së, për rezultatin në përputhje me pjesën X të Kodit Zgjedhor është i njëjtë, por shkaku i kërkimeve dhe mënyra e rregullimit të tyre është i ndryshëm, me prioritet pavlefshmërinë e zgjedhjeve. E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve, apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit 3 ditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim, apo për të kërkuar pavlefshmëri. Pretendimi i ngritur nga pala paditëse se jemi para një rezultati të ri, të pasqyruar në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar, i shpallur me vendimin nr.1158 datë 25.6.2011 të KQZ, nuk qëndron, pasi ky rezultat ka ekzistuar që kur është dhënë vendimi nr.711 datë 23.5.2011, duke u ndryshuar në fazat e mëtejshme të rinumërimit dhe të rivlerësimit të votave. Me vendimin nr.67 dt.13.06.2011 Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar ankimin kundër vendimit të KQZ-së, ka miratuar tabelën përmbledhëse dhe ka shpallur fituesin. Me këtë vendim, kolegji duke anulluar rezultatin, ka kërkuar një hetim më të plotë administrativ dhe pasqyrimin e tyre në tabelat përkatëse. Marrja e një vendimi tjetër nga ana e KQZ-së, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, nuk legjitimon asnjërën prej palëve që pretendon se cenohet nga zbatimi i këtij vendimi, për të kërkuar tashmë pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Në analizë përfundimtare të çështjes Kolegji çmon se, zgjedhja e mbrojtjes ligjore për realizimin e të drejtave të çdo subjekti zgjedhor është një e drejtë legjitime e tyre, por nuk mund të zgjatet tej kufijve të lejuar të ligjit dhe në kundërshtim me dispozitat urdhëruese të Kodit Zgjedhor.
I pabazuar është edhe pretendimi tjetër i ngritur në kërkesëpadi "për detyrimin e palës paditur të nxjerrë vendim". Pala e paditur ka marrë vendim për “Mos-shqyrtimin e çështjes", për shkak të kalimit të afatit ligjor, në përputhje me nenin 130 pika "c" e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, në referim të pikës 2 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet e drejta e subjektit zgjedhor që të bëjë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ. Në rastin tonë, KQZ, ndonëse nuk ka shqyrtuar çështjen në themel, për shkak të mosushtrimit të së drejtës së kërkimit për pavlefshmëri të zgjedhjeve brenda afatit 3 ditor, përsëri në zbatim të nenit 130 të Kodit Zgjedhor, ai ka dalë me një vendim.
Në kushtet e ekzistencës së një akti administrativ, vendimit të KQZ-së nuk mund të kërkohet detyrimi i palës së paditur të nxjerrë vendim, pasi ky vendim ekziston. Qëllimi i ligjvënësit në formulimin e dispozitave me karakter urdhërues për të drejtën e pacenueshme për tu ankuar ndaj akteve të administratës zgjedhore, nuk mund të zgjatet në kohë, por vetëm në afatet e caktuara nga ligji, për vetë karakterin dhe natyrën e procesit zgjedhor.