E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-deputetëve:Stop bojkotit, të kthehet besimi tek politika

Kreu i shtetit Bamir Topi në një mesazh drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në prag të sesionit të ri parlamentar, u ka bërë thirrje atyre që të punojnë për të rifituar besimin e lëkundur të qytetarëve tek politika dhe institucionet e saj.

“Parlamenti, mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet, së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional. Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin” ka theksuar Topi ndërsa ka shtuar se prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura.

Sipas tij palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, dhe të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë.

“Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim tek qytetarët. Parlamenti ynë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zëdhënës të mirë të sovranitetit të popullit dhe tempull i demokracisë. Aty ka deputetë me përvojë parlamentare, ka personalitete akademike e shkencore, ka të rinj të diplomuar në universitete perëndimore, ka politikanë që votohen rregullisht, siç ka edhe individë me dinjitet e përkushtim. Unë kam besim dhe mbi këtë bazë dhe inkurajoj këto potenciale të veçanta parlamentare, të marrin përgjegjësinë për ta shndërruar sesionin e ri parlamentar në një periudhë reformash demokratike dhe integruese” ka theksuar më tej Topi

Ndërkohë duke iu referuar miratimit të ligjit të fundit me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës rreth dy vite më parë, kreu i shtetit theksoi se në pjesën tjetër të aktivitetit parlamentar nuk është pasur më rastin të shohim bashkëpunim dypalësh dhe reforma që burojnë prej tij.
“Për pasojë, Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjës kombëtare, ju ftoj t`i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme” ka theksuar më tej Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›