E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi e Meta nisen për një vizitë treditore në Turqi

Si parin e vizitës së tij, Topi do ta nisë me një takim me homologun turk, Abdullah Gyl, ku temë qendrore e bisedimeve do të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, situata në rajonin ballkanik dhe përmbushja e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Turqi, Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar ku është i pranishëm edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme që do të zhvillohen në Stamboll: në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku do të ketë diskutime dhe konferencë të përbashkët për shtyp të krerëve të shteteve pjesëmarrëse mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Më pas do të jenë të pranishëm në Takimin e 8-të të Forumit të Korridoreve Kulturore të Samitit të Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore me temë: ‘Muzika, si metaforë e dialogut kulturor’, gjatë të cilit, Kreu i Shtetit shqiptar, Topi do të mbajë një fjalë përshëndetëse mbi vlerat kulturore dhe trashëgiminë e lashtë shpirtërore e muzikore shqiptare e të vendeve të rajonit.

Në këto Samite do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra të vendeve nga Evropa Juglindore, drejtues të UNESCO-s, akademikë, personalitete të artit e të muzikës dhe Kreu i Shtetit shqiptar pritet të ketë edhe një takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›