E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi e Topalli presin zv/kryeministrin maltez

Në takim, Topi duke shprehur vullnetin për nxitjen e marrëdhënieve me Maltën, përshëndeti nënshkrimin sot të dy marrëveshjeve mes palës shqiptare dhe asaj malteze: mbi ripranimin e personave rezidentë pa autorizim dhe marrëveshjes për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.

Lidhur me situatën politike të krijuar në Shqipëri, Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e dialogut konstruktiv e të maturuar midis palëve politike, si mjeti i duhur për zgjidhjen e një mosmarrëveshje politike, në respekt të pavarësisë së institucioneve të një vendi. Duke u ndalur tek Kosova, Topi falënderoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maltës që në korrik të vitit 2008. Lidhur me Rezolutën “Marti”, të miratuar dy ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Kreu i Shtetit nënvizoi gatishmërinë e shtetit shqiptar për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet e angazhuara në hetimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit në ish-Jugosllavi.

Ndërkohë, diplomati maltez ka zhvilluar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit, Topalli, ku është shprehur se ardhja në Kuvendin e Shqipërisë, hap një fazë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit e informoi Zv. Kryeministrin e Maltës lidhur me tentativën e dështuar për pushtimin me dhunë të Kryeministrisë dhe përmbysjen e rendit kushtetues në vend, si dhe për masat që janë marrë për përballimin e kësaj situate, ende në vazhdim.

“Tentatibva e dështuar e grushtit të shtetit tregoi qartësisht, jo vetëm rrezikun eminent që i kanoset demokracisë, rendit kushtetues dhe jetës të çdo qytetari, kur çmenduria dhe dhuna bëhen frymëzim dhe axhendë e politikanëve të caktuar. Por kjo ngjarje tregoi gjithashtu në mënyrë të qartë se vetëm nëpërmjet veprimit të ligjit. pa kompromis dhe pa hezitim, rendi kushtetues triumfon ndaj këtyre kërcënimeve. Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision hetimor i cili do të investigojë në tërësi veprimtarinë e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të zbatimit të ligjit lidhur me zbatimin e kompetencave të tyre ligjore dhe evidentimin eventual të mungesave dhe mangësive në kuadrin ligjor dhe atë organizativ si dhe në bashkëveprimin institucional", tha Topalli. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-01-27 15:53
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›