E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, hapet drita e negociatave të reja

Ndërkombëtarët forcojnë mbështetjen ndaj Presidentit. Skema e dialogut për institucionet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet që të ofrohet si faktor ndërmjetësimi për krizën nga komuniteti ndërkombëtar. Burime diplomatike bënë të ditur se ndërkombëtarët kanë pjekur gjithnjë e më shumë opinionin që misioni i nisur më 13 shkurt nuk ka përfunduar, ndaj mund të lançohet sërish roli i Presidentit, por kësaj here me një funksion të ri. Sipas të gjitha gjasave nuk bëhet fjalë për një tryezë direkte mes Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Bamir Topi, por kësaj here kreu i shtetit do të shfrytëzojë rolin kushtetues për të kërkuar nisjen e një dialogu të ri për institucionet kryesore të vendit, por edhe për ligjet e domosdoshme, pa të cilat Shqipëria nuk mund të marrë vendimet pozitive për integrimin në Bashkimin Europian, por edhe për liberalizimin e vizave.

Vizita

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nis nesër në mesditë një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, Horst Kohler, ku pritet të takohet edhe me personalitete të lartë të këtij shteti, përfshirë Presidentin e Bundenstagut, por edhe kancelaren Merkel. Gjatë bisedimeve që kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë në Berlin, pritet të ridimensionohet teza e një “loje dyshe” në kuadrin e promovimit të dialogut mes mazhorancës dhe opozitës. Pas hyrjes së Partisë Socialiste në Parlament dhe ngecjes së krizës politike në sallën e Kuvendit, komuniteti ndërkombëtar po qarkullon gjithnjë e më shumë idenë e një zhvillimi paralel në Parlament, por edhe nëpërmjet dialogut të nxitur nga kreu i shtetit me synimin e forcimit të institucioneve dhe miratimin e ligjeve kushtetuese të domosdoshëm për këto institucione. Mazhoranca aktuale nuk i zotëron 84 votat e nevojshme për të miratuar reformën në drejtësi, e cila është kusht themelor për integrimin e Shqipërisë, ndaj dialogu pritet të ketë parasysh pikërisht këtë axhendë të rëndësishme institucionale të vendit.

Gjykatat

Pas kthimit nga Gjermania, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet që të bëjë konsultimin e fundit dhe më pas emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, të cilët do të duhen të miratohen nga Parlamenti me votim të fshehtë, por me shumicë të thjeshtë. Në një intervistë televizive të dhënë javën e shkuar, kreu i shtetit shqiptar bëri thirrje që gjatë miratimit të kandidaturave në Kuvend të jetë prezente edhe Partia Socialiste. Ky ka qenë një sinjal i dhënë në distancë dhe publikisht, por sipas të gjitha gjasave nuk mungojnë edhe sinjalet më të afërta për të krijuar një klimë sa më institucionale. Pas Gjykatës së Lartë, e cila është në krizë prej kohësh, që prej dy ditëve në krizë është edhe Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi mbylljen e mandatit në ditën e parë të këtij muaji, pikërisht të anëtarit të kësaj Gjykate, Kujtim Puto. Në ditët në vazhdim, institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar do të duhet që të mblidhet për të vendosur mbylljen e mandatit dhe të pesë anëtarëve të tjerë. Pas këtij procesi, i cili mbyllet në fund të këtij muaji, Presidenti i Republikës duhet të emërojë gjashtë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, të cilët më pas duhet të miratohen në Parlament. Për këtë institucion, që është shumë i rëndësishëm, pritet që të zhvillohet një proces edhe më i gjerë konsultimi nga Presidenti, i cili sipas të gjitha gjasave mund të thërrasë edhe personalitete të politikës, të cilët mund të këshillojnë për mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave. Kjo fazë mund të shërbejë për riciklimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, për t’i dhënë vendit reformat e nevojshme për integrimin.

Avokati i Popullit

Një institucion tjetër i rëndësishëm që ka hyrë në krizë prej kohësh është edhe Avokati i Popullit, për arsye se ka përfunduar mandati i kreut të tij, Ermir Dobjani. Për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit do të duhet që Parlamenti të votojë me 84 vota, të cilat nuk i ka mazhoranca. Por një javë më parë, deputetët e Partisë Demokratike kanë sulmuar fuqishëm këtë institucion, duke krijuar një front të ri përplasjeje institucionale, që kërkon një mundësi negocimi sepse përndryshe Avokati i Popullit do të mbetet pa kryetar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›