E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi ndaj kishës, si antisemitizmi

Reagimi Krahasimi acaron hebrenjtë dhe viktimat

Grupe hebreje dhe viktima të abuzimeve seksuale nga ana e priftërinjve katolikë kanë dënuar predikuesin e Papës për krahasimin që i bëri kritikave ndaj Atit të Shenjtë me antisemitizmin. Një grup i viktimave të abuzimeve të priftërinjve me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e quajti një krahasim të tillë “moralisht të gabuar”. Ndërkohë kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve të Gjermani e konsideroi lutjen e Pashkëve gjatë së cilës u bë një krahasim i tillë “pafytyrësi”. Kisha Katolike po përballet me skandale abuzimesh këtë vit. Ndërkohë, sipas Vatikanit, vërejtjet e Raniero Cantalamesës nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike. Për zëdhënësin e Selisë së Shenjtë, bërja e krahasimeve të tilla mund të çojë në keqkuptime. Lutja e at Cantalamesës është botuar e plotë në gazetën zyrtare të Vatikanit “L’Osservatore romano”. Këtë vit Kisha është përballur me një sërë akuzash për abuzime seksuale në vende si Irlandë, Zvicër, Holandë, Austri dhe Gjermani. Për sa i përket rastit në fjalë, lutja është bërë gjatë ceremonisë së të premtes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë. Predikuesi e ka krahasuar kriticizmin ndaj Kishës në lidhje me akuzat për abuzime me “dhunë kolektive të vuajtur nga hebrenjtë”

Ati tha se ishte frymëzuar nga një letër e një miku të tij hebre, i cili ndihej i trishtuar nga sulmet që po i bëheshin Papës. Prifti ka lexuar gjatë lutjes pjesë të letrës në të cilën miku i shkruante se po i ndiqte me indinjatë sulmet ndaj Kishës Katolike, Papës dhe gjithë besimtarëve në botë. “Përdorimi i stereotipave dhe kalimi nga përgjegjësia personale në faj kolektiv më sjell ndërmend aspektet më të turpshme të antisemitizmit”, ka thënë prifti ndërkohë që në sallë ka qenë i pranishëm edhe vetë Papa. Kjo deklaratë bëhet në një nga momentet më solemne të kalendarit të kishës. Komentet kanë provokuar menjëherë reagime nga grupet hebraike dhe ato të viktimave. E ndërsa shumë zyrtarë të Vatikanit flasin, vetë Papa preferon që të mos bëjë komente lidhur me abuzimet gjatë Pashkëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›