Topi i Arte 2012 Mesi fitoi cmimin ne Zyrih te Zvicres
Ishte ndoshta 1000 për qind e sigurt, por goja nuk mund ta thoshte. Duhej të vinte orë 20:55 e kësaj dite të 7 janarit që Lionel Mesi të shpallej fitues i Topit të Artë të FIFA-s për vitin 2012. Goja fatlume që e tha ishte ajo e italianit Fabio Kanavaro, fitues në 2006.
Mesi mposhti konkurrencën e Kristiano Ronaldos dhe Andres Iniestës, ndërsa triumfi i tij u shpall në mbrëmjen madhështore në Zyrih të Zvicrës.
Kjo ishte hera e katërt që argjentinasi i Barcelonës bëri të vetin këtë trofe, duke vendosur një rekord. Madje, rekordi është edhe më i plotë pasi superylli 25-vjeçar i ka fituar radhazi të katër Topat e Artë.
Leo ishte favorit, ndërsa shënoi 91 gola gjatë 2012-ës, duke thyer rekordin e Mylerit me 85 gola arritur në 1972.
Fituese e Topit të Artë për futbollistet femra doli Ebi Uambah e SHBA, duke lënë prapa brazilianen Marta, 5 herë radhazi fituese në të kaluarën dhe amerikanen tjetër Aleks Morgan. SHBA doli kampione olimpike.
Visente Del Boske u shpall trajneri më i mirë i FIFA-s i vitit 2012, ndërsa garën për skuadrat e femrave e fitoi trajnerja e SHBA-së, Pia Sundhage.
Del Boske fitoi titullin në Euro 2012 me Spanjën, ndërsa Sundhage fitoi titullin olimpik me SHBA-në.
La Liga e Spanjës pati të 11 lojtarët e Skuadrës Ëndërr të FIFA-s për vitin 2012. Kasijas në portë, Alves, Pike, Ramos e Marselo në mbrojtje, Alonso, Ksavi, Iniesta në mesfushë dhe Ronaldo, Mesi e Falkao në sulm.
Janë të gjithë të kampionatit spanjoll. Janë të gjithë të Barcelonës e Realit, me përjashtim të Falkaos së Atletikos.
Së fundi, Franc Bekenbauer fitoi çmimin presidencial të FIFA-s, ndërsa klubi turk i Eskishehirsporit dhe Federata e Futbollit e Uzbekistanit fituan çmimin e lojës së ndershme të FIFA-s