E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kthen në Kuvend ligjin e pronave

Presidenti Topi ka kthyer për tu shqyrtuar sërish në Kuvend ligjin për pronat. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e presidencës e cila jep edhe sqarimet e presidentit Topi për arsyet e kthimit të ligjit.

"E shqyrtova me vëmendje këtë ligj dhe jam i ndërgjegjshëm për problematikën, dimensionin dhe rëndësinë që ka ky ligj. Vlerësoj se e drejta e pronës dhe e gëzimit të saj është një nga kolonat bazë të funksionimit normal të një shoqërie demokratike dhe se garantimi i saj do të konsolidonte zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Por, me qëllim që zgjidhja e ofruar të jetë sa më pranë standarteve të të drejtave të njeriut dhe atyre kushtetuese, vendosa ta kthej ligjin edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, për shkakun se gjykoj se ka vend të rishikohet, si përsa i përket kushtetushmërisë së tij, por edhe për ta bërë atë efektiv dhe të zbatueshëm" thekson Topi.

Më tej presidenti Topi thekson se vlerëson se rregullimi ligjor që propozohet vjen ndesh me Kushtetutën e Republikës, dhe përkatësisht me preambulën e saj dhe nenet 4, 41, 132 dhe 181 të saj. Sipas tij është detyrë e Kuvendit, sipas Kushtetutës, të nxjerrë ligje për rregullimin e drejtë të çështjes së pronës, të shpronësuar dhe konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist.

"është parim kushtetues që neni 41 ka vënë lidhur me të drejtën e pronës private, e cila mbrohet prej Kushtetutës. Kushtetuta detyron Kuvendin e Shqipërisë dhe më tej të gjitha strukturat e shtetit që të bëjnë rregullime ligjore për të garantuar të drejtën e pronës private dhe të bëjnë të mundur që pronarit të shpronësuar dhe konfiskuar t'i kthehet prona plotësisht dhe në pamundësi të kompensohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë për pronën e tij. Gjithashtu, Kushtetuta ka përcaktuar se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë shtetërore, duke garantuar kështu një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, atë të sigurisë juridike" shton më tej Topi.

Sipas tij ajo që propozohet me ligjin e ardhur për shpallje nuk është në përputhje me këtë vullnet kushtetues, por në kundërshtim me të duke shtuar se kthimi i këtij ligji do t'i japë mundësinë A.K.K.P-së të rishikojë vendime të ish-komisioneve për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe për më tepër edhe t'i shfuqizojë ato, i heq pronarit mundësinë e të gëzuarit të pronës së tij i qetë dhe sigurt për një të drejtë të fituar në përputhje me normat kushtetutese dhe ligjore.

"Rregullimi ligjor i propozuar cënon parimin e sigurisë juridike, parim ky i përshkruar në nenin 4 të Kushtetutës. Ky rregullim i ri ligjor, njëkohësisht, shkel detyrimin që shteti ynë ka në përputhje me nenin 1, të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, ku Shqipëria është përballur në një numër rastesh për respektimin e tyre, sipas së cilës e drejta e pronës nënkupton jo vetëm njohjen dhe garantimin e saj, por, edhe detyrimin e shtetit që në rast të pamundësisë së përmirësimit të standartit të mbrojtjes së pronës apo të drejtave të fituara, së paku, të ruajë standartin e krijuar dhe të ofrojë siguri për ruajtjen e tij." thekson më tej Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›