Topi, mbështetje institucionale për projektet me Malin e Zi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve "Dukla" të Malit të Zi, Bozhidar Nikoliç dhe delagacionin zyrtar që e shoqëron, gjatë vizitës në vendin tonë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Salvador Bushati dhe Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç.
Presidenti Topi, pasi i uroi mirëseardhjen, e njohu Nikoliç me përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht tek ecuria e zhvillimet e shkencës shqiptare e të përfaqësuesve të saj gjatë viteve të fundit, si dhe të Institucionit të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pasi i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona fqinje, kreu i shtetit shqiptar shprehu mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për organizimin e realizimin e projekteve dhe konferencave të përbashkëta, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm akademik e shkencor.
Topi nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të ndërsjella në përgatitjen e kualifikuar shkencore dhe të kërkimit shkencor ndërmjet akademive tona, duke u nisur edhe nga ekosistemi i njëjtë, që ndajnë dy vendet tona, siç janë Liqeni i Shkodrës, lumi Buna dhe i gjithë pellgu ujëmbledhës apo edhe historia e kultura e përbashkët e rajonit ballkanik.