E Diel, 1 Nëntor 2026

Abaz nxit Obaman: Është koha për planin e paqes

Lindje e Mesme Presidenti palestinez i bën thirrje Obamës të mbajë premtimet e bëra

Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, i ka kërkuar Presidentit amerikan, Obama, që të ngulmojë në lidhje me një marrëdhënie paqeje për Lindjen e Mesme, duke shprehur në këtë mënyrë frustrimin e palestinezëve në lidhje me dy dhjetëvjeçarët gjatë të cilëve nuk ka ndodhur asnjë gjë për sa i përket negociatave me Izraelin.

Zyrtarët palestinezë mendojnë se vetëm një Amerikë e fuqishme dhe një ndërhyrje e saj përfundimtare, do të thyejë gjendjen e status kuosë me Izraelin. Por, për sa i përket thirrjes së radhës të Presidentit palestinez, Abaz ajo gjithsesi është konsideruar si një thirrje jo shumë e zakonshme. Në një fjalim drejtuar liderëve të lëvizjes së tij, “Fatah”, Presidenti palestinez nënvizoi se administrata e Obamës ka përcaktuar krijimin e një shteti palestinez në Izrael dhe kjo për Shtetet e Bashkuara është një pikë shumë strategjike. “Që kur ju zoti President dhe Presidenti i SHBA-së, anëtarët e administratës amerikane besojnë në një gjë të tillë, është detyra juaj që të bëni përpara dhe të kërkoni hapa të mëtejshëm për të zgjidhur një situatë që po qëndron prej një kohe të gjatë në një gjendje vegjetative. Por ju lutem mos më thoni që zgjidhja e çështjes palestineze është në interesin e Shteteve të Bashkuara e ndërkohë nuk bëni asgjë në lidhje me të”, ka deklaruar Presidenti Abaz.

Pozicioni tradicional i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë deri më tani ai i një mediatori, ndërkohë që për SHBA-në, Izraeli dhe Palestina kanë qenë, të paktën në dukje partnerë të barabartë, por që në fund të fundit duhet që të bëjnë zgjedhjet e tyre personale. Kritikët kanë thënë se kjo lloj mënyre nuk ka bërë asgjë në lidhje me balancimin e pushtetit dhe se pikërisht një politikë e tillë, e ka mbajtur situatën në një status kuo shumë të gjatë.

Në fillim të këtij muaji, një gazetë shumë e fuqishme amerikane deklaroi se administrata e Obamës është duke marrë në konsideratë një plan paqeje për Lindjen e Mesme. Që nga ajo kohë, zyrtarët e lartë amerikanë bënë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndihmojnë, por vendimin përfundimtar duhet ta marrin pikërisht palestinezët dhe izraelitët.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›