E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me median: Pritja ime e fundit si president. TVSH tu kthehet shqiptarëve

Share

Presidenti falënderon gazetarët, e guximshëm, ata që janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba

Me rastin e festave të fundvitit, Presidenti, Bamir Topi, dha sot pritjen tradicionale në ambientet e Presidencës ku ishin të ftuar drejtues, gazetarë, analistë, studiues, administratorë dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare.

Topi tha se kjo është pritja e fundit me gazetarë në cilësinë e Presidentit.

Padyshim që është një moment i veçantë i veprimtarisë sime si President takimi në fund të vitit me gazetarë, me miq. Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi, sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rrotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë patur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu, tha Topi.

Presidenti tha se televizioni publik duhet të bëhet i gjithë shqiptarëve. Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për ti shërbyer më shumë vitit që vjen që ky Televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontigjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demontrojnë që ëshë një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët, u shpreh presidenti.

Presidenti ka rezervuar edhe një përshëndetje për ata gazetarë që kanë ndjekur me guxim ngjarjet e këtij viti. Duke iu referuar mesa duket 21 janarit, Topi tha se ka pasur gazetarë që kanë ngrënë edhe plumba.

Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata gazetarë, të cilët kanë ndjekur sidomos gjatë vitit 2011 ngjarje që kanë qenë shumë intensive në Shqipëri. I kanë ndjekur me shumë guxim, me shumë trimëri. Them fjalën trimëri se janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba. Pra, gazetarë të cilët meritojnë të vlerësohen, të cilët meritojnë patjetër që të promovohen dhe unë dëshiroj që nga pozicioni i Kryetarit të Shtetit tju inkurajoj në të gjithë misionin tuaj! Jam i bindur që vetëm e vërteta dhe profesionalizmi do të dominojë, tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›