Topi me shqiptarët e Maqedonisë: Ballkani nesër do jetë pa kufij

Presidenti Topi dhe Menduh Thaçi
Presidenti Bamir Topi u takua dje me krerët e partive shqiptare në Maqedoni. Fillimisht, kreu i shtetit u prit në takim nga lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi, në Tetovë, ku qindra qytetarë kishin dalë për ta pritur. Në fjalën e tij Topi tha se gjatë vizitës sime zyrtare në Maqedoni, besoj ky është një nga momentet më të bukura dhe që tregon që, pavarësisht se ne historia na ka ndarë me një kufi administrativ, zemra jonë rreh me të njëjtin ritëm. Kemi të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtën kulturë, kemi të njëjtat zakone. Kombi ynë këtë vit mbush 100 vjet, në sensin e krijimit të shtetit shqiptar, sepse kombi ynë është i lashtë sa vetë jeta. Sipas tij, sot Ballkani është shumë ndryshe nga vitet e kaluara, kur konfliktet ishin të mëdha. Kjo është e ardhmja e të gjithëve ne, në një Europë e cila sot vërtet është pa kufij. Edhe nesër Ballkani do të jetë pa kufij, sepse ky është mentaliteti dhe vizioni i njerëzve të qytetëruar që jetojnë në një Ballkan, i cili vite më parë ka pasur probleme pa fund. Sot jetojmë në një kohë tjetër, dhe jam i bindur që jo vetëm ne, por edhe fëmijët tanë, edhe stërnipërit tanë, do të jetojnë një botë më të mirë, u shpreh Presidenti. Gjatë takimit, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, vuri në dukje nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve në mbarë rajonin dhe për një ndikim më të madh në përmirësimin e kushteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë rast për shqiptarët e Maqedonisë. Gjatë ditës së djeshme Topi zhvilloi një takim edhe me kreun e PDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin shkëmbeu mendime për disa prej zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni, duke theksuar se palët duhet të tregojnë gjithnjë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe se forcimi i dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në mënyrë evidente në përballimin e të gjitha sfidave të kohës.