E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i linjës me Kosovën, Holtkemper kundër Bodes

Ambasadorja gjermane, Carola-Myler Holtkemper

Ambasadorja gjermane ka reaguar dje për linjën e interkonjeksionit.

Banka gjermane, jashtëzakonisht korrekte e transparente

Ambasada Gjermane në Tiranë ka reaguar dje ndaj deklaratave në Parlament të ministrit të Financave, Ridvan Bode, për tenderin ndërtimit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.
Dy ditë më parë, përfaqësuesi i qeverisë u shpreh në fjalën e mbajtur para deputetëve se Banka gjermane KfW duhet të njoftonte kompaninë shqiptare që kishte shpallur fitues kompaninë kroate. Madje ai i kërkoi opozitës që të mos mundohej dhe të mbronte një korrupsion që duhej denoncuar. Por, gjatë ditës së djeshme, në një aktivitet të Ambasadës Gjermane, ambasadorja e këtij vendi mbrojti Bankën KfW duke thënë se ajo ka punuar në mënyrë korrekte dhe me transparencë. Ne zakonisht nuk japim informacione për procedurat e tenderit që janë në proces e sipër. Për ne është një procedurë tenderi në vazhdim. Dua tju pohoj se pala gjermane, pra Banka për Rindërtim, ka punuar në mënyrë jashtëzakonisht korrekte dhe vazhdimisht me transparencë, u shpreh Carola-Myler Holtkemper, kur u pyet nga mediat se cili ishte qëndrimi i saj lidhur me këtë çështje. Më tej diplomatja gjermane tha se ne punojmë vazhdimisht në mënyrë të ngushtë me partnerët tanë, të cilët përgjigjen për projektet teknike dhe financiare, kështu që nuk ishte nevoja për të ndërmarrë masa ose procedura të posaçme.
Dy ditë, më parë Kryeministri Sali Berisha mbrojti procedurën e ndjekur duke thënë se fitues nuk u shpall firma e parë ajo kroate, për shkak se kishte dhënë një çmim 30 për qind më të shtrenjtë se ajo e renditur në vendin e dytë. Kjo ishte një klithmë e radhës e mafies së dëshpëruar. Për Sali Berishën, mafia nuk ka atdhe. Atdhe i saj është shpella, ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka fytyrë, por ka vetëm fytyrën e krimit. Mafia nuk ka moral, por vetëm trofetë që plaçkit, u shpreh Berisha. Duke iu përgjigjur akuzave të artikuluara nga kryesocialisti, Berisha tha se Rama është bërë pjesë e atyre që duan ta bëjnë linjën e interkonjeksionit me çmimin më të lartë. Sot dëgjova se u kujtua edhe ky të bëhet patriot, më së fundi dhe unë e mirëpres, por ra në grackë, i doli, notonte edhe ky te 30 përqindëshi. Aty është pika e mjaltit. Nuk ka diskutim që linja do të bëhet, por rregullat nuk mund të thyhen se është një diferencë shumë e madhe, u shpreh Berisha.

Bode: KfW duhet të na njoftonte për fituesin
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha të enjten në Kuvend se diferenca midis dy kompanive që garuan për lotin e parë të linjës energjetike Shqipëri-Kosovë ka një diferencë prej 44%. Në një tender kur midis dy garuesve diferenca e çmimit është 44%, sigurisht që çdo shqiptar ka të drejtë të ngrejë një akuzë e të thotë: zotërinj, ku jeni ju, si mundet që në një tender prej 45 milionë eurosh, kompania e parë me kompaninë e dytë të jetë 21 milionë euro diferencë? Dhe opozita, po mos të kishte guximin për ti thënë falemnderit atyre që morën vendimin, atij drejtori, asaj administrate, të paktën të heshtte, tha Bode. Ministri i Financave shtoi më tej duke thënë: Banka gjermane duhet të njoftonte kompaninë shqiptare me ligj, dhe nuk e ka njoftuar që fitues do të shpallim filanin. Dhe pasi të merrte objeksionin nga kompania shqiptare, vetëm atëherë mund të bënte shpalljen. Ne kemi kërkuar për pjesën tonë anulimin, nuk kemi punë me Kosovën.

Rama: Berisha bllokoi tenderin
Kreu i PS-së, Edi Rama, e cilësoi të qëllimshëm bllokim e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Projekti i linjës me kapacitet 400 kilovolt, që financohet nga Gjermania, ka mbetur peng i qeverisë shqiptare, madje, pasi tenderi është kryer dhe ka marrë edhe miratimin e Bankës gjermane KfW. Madje bllokimi ka ardhur edhe pasi vetë OST-ja e ka miratuar rezultatin e tenderit. Letrat e drejtorit të KfW-së, drejtuar qeverisë shqiptare, nuk kanë marrë përgjigje. Çështje kaq madhore dhe me një rëndësi kaq të madhe paskan mbetur në dorë të një ish-truproje dhe ish-doganieri të
Sali Berishës, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›