E Diel, 1 Nëntor 2026

Plloçi jep dorëheqjen nga Gjykata Kushtetuese

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi

Pas vendimit për rrëzimin e kërkesës së Presidentit për dekretet.

Po cenohet legjitimiteti i Gjykatës me zgjatjen e mandatit

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, i dorëzoi dje dorëheqjen e tij me shkrim kryetarit të kësaj Gjykate dhe Presidentit të Republikës. Në dorëheqjen e tij, Plloçi kundërshton zgjatjen e mandatit të tij, i cila ka përfunduar prej gati dy vjetësh.
Shkak për këtë dorëheqje është bërë vendimi i kësaj Gjykate, e cila një javë më parë rrëzoi kërkesën e Presidentit të Republikës që kërkonte interpretim për dekretet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Gjykata la në fuqi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, i cili bllokoi zëvendësimin e tre gjyqtarëve kushtetues deri në 2013-n, duke i lënë ata në këtë detyrë edhe për 2 vite të tjera përtej mandatit 9-vjeçar. Në tekstin e tij të dorëheqjes mësohet të jetë shprehur se mandati mund të zgjasë për një kohë të arsyeshme, siç parashikon Kushtetuta, deri në ardhjen e pasardhësit, porse nuk mund të jetë aq i gjatë sa të përbëjë një konsumim të një pjese substanciale të një mandati të dytë 9-vjeçar, siç po ndodh në rastin në fjalë. Sipas tij, kjo situatë e bllokimit të procedurës së emërimit të gjyqtarit zëvendësues cenon rëndë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese. Mësohet se kishte kohë që Plloçi e kishte marrë këtë vendim, por ishte në pritje se si do të shprehet Gjykata Kushtetuese për vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për bllokimin e rinovimit të anëtarëve të kësaj Gjykate. Plloçi nuk ka hezituar të hartojë tekstin e dorëheqjes kur ka parë se si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati, kanë votuar kundër kërkesës së Presidentit të Republikës të depozituar në këtë Gjykatë, duke zgjatur mandatin e tyre deri në 2013-n, përtej afatit kohor kushtetues. Mësohet se Plloçi nuk do të presë deri në zëvendësimin e tij, por do të largohet menjëherë nga detyra, duke e lënë vendin vakant dhe duke detyruar kështu Presidentin e Republikës dhe Parlamentin të nisin procedurat për zëvendësimin e tij, ndryshe, Gjykata Kushtetuese do të funksionojë me një anëtar më pak. Sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit, vazhdon të jetë në detyrë deri në zëvendësimin e tij, procesi i të cilit nis muaj më parë përmes konsultimeve të Presidentit me grupet kryesore parlamentare. Por Plloçi vazhdonte të qëndronte në detyrë dhe pse mandati i tij ka mbaruar që në 2010-n, ndërsa Kuvendi vendosi të bllokojë ripërtëritjen e anëtarëve të saj.

Gjyqtarët
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, është një nga tre anëtarët e kësaj Gjykate, të cilëve mandati 9-vjeçar u ka përfunduar prej shumë kohësh. Mandati i Petrit Plloçit ka mbaruar në maj të vitit 2010. Janë dhe dy anëtarë të kësaj Gjykate, të cilëve u ka mbaruar mandati prej një viti, Admir Thanza dhe Xhezair Zaganjori. Vitin e kaluar, Presidenti Bamir Topi dekretoi emrat për zëvendësuesit e tyre. Por, Parlamenti vendosi të mos i marrë në konsideratë, duke qenë se kish emëruar më parë tre anëtarë të tjerë të rinj, duke shpjeguar se kështu do të bëhej rotacioni normal i parashikuar çdo tre vjet për një të tretën e anëtarëve.

Reagimi
Anëtari i Kryesisë Socialiste, Ditmir Bushati, në faqen e tij në Facebook përshëndeti veprimin e dorëheqjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Për përfaqësuesin e lartë të Partisë Socialiste, duhet që edhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese të bëjnë të njëjtin veprim, për ti dhënë legjitimitet këtij institucioni që, sipas tij, është kapur nga pushteti aktual. Respekt për aktin e gjyqtarit kushtetues Petrit Plloçi! Trishtim për faktin se është specie në zhdukje. A do të trondisë ndopak ndërgjegjen e gjyqtarëve të tjerë, të cilëve u ka mbaruar mandati kushtetues? Nisur nga vendimmarrja e tyre, si ratifikues të bëmave të pushtetit, kam frikë se jo. R.I.P Gjykata Kushtetuese!, shprehet Bushati në Facebook.

Kristo parashikoi dorëheqjen
Në seancën e dëgjimit të palëve në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi i Kuvendit, Lulzim Lelçaj, është përballur me shumë pyetje nga trupi gjykues rreth ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për bllokimin e zëvendësimit të tre anëtarëve të kësaj Gjykate deri në 2013-n, duke bllokuar dekretet e Presidentit të Republikës. Gjatë seancës, ish-kryetari i kësaj Gjykate, Vladimir Kristo, pyeti përfaqësuesin e Kuvendit: Si do ta rregulloni ju rastin, nëse dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jepnin dorëheqjen sot? Si do ta zgjidhni problemin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese? I ndjerë jo rehat nga kjo pyetje, përfaqësuesi i Kuvendit, Lulzim Lelçaj, tha: Përtëritja është e përcaktuar në Kushtetutë, Presidenti bën propozimet, Kuvendi bën emërimet në luajalitet përmes bisedimeve dhe konsultimeve paraprake. Sa i takon situatës së krijuar, detyrimi për të zbatuar Kushtetutën i takon çdo institucioni. Presidenti gjatë zbatimit të detyrës ka pasur mundësi të zbatonte nenin 125 të Kushtetutës.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›