E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mesazh: Të hetohet “21 janari”, institucionet të pavarura

Sipas Topit, kjo arrihet vetëm duke qëndruar të bashkuar.

Duke folur konkretisht për demonstratën e 21 janarit, për kreun e shtetit shqiptar kjo ngjarje nuk duhet të ndodhte dhe nuk duhej të derdhej gjak. Ai shtoi më tej se në një shtet demokratik, shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilët do qofshin ata, ndëshkohen.

“21 janari nuk duhet të ndodhte. Më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak, të kishte viktima, të plagosur e të dhunuar. Më 21 janar nuk duhet të kishte lot të nënave, grave e fëmijëve. Nuk duhet të kishte dhunim të institucioneve, nuk duhej të shkelej ligji. Më 21 janar ligji u shkel rëndë. Në një vend demokratik shkelja e ligjit ndëshkohet bashkë me shkelësit. Kërkesa për ta zbardhur ngjarjen është përparësi e shtetit, drejtësisë, SHISH, etj”, ka deklaruar Topi. 

Duke kujtuar hallkat e shtetit demokratik, Topi thotë se një shtet mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave nuk pengohet, cilat do qofshin motivet e saj, dhe drejtësia duhet të vendoset. “Në emër të qytetarëve të Shqipërisë kërkoj angazhimin, përkushtimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje!”, apelon presidenti i vendit. Ai kujton se Kushtetuta e Shqipërisë ndan qartësisht pushtetet, zgjedhjen dhe kompetencat e tyre dhe çdo presion mbi to vonon pavarësinë e tyre.

“Pesha dhe presioni i pushteteve ndaj njëri-tjetrit e vonon dhe komprometon pavarësinë e analizës, mendimit dhe gjykimit të pavarur të ngjarjes dhe aktorëve të saj. Kjo është mënyra e vetme për të lehtësuar zbardhjen e pavarur, gjithëpërfshirëse dhe profesionale dhe për të nxjerrë përgjegjësitë politike dhe ligjore që shkaktuan viktima, të plagosur, dhunë, cenim të rendit kushtetues, shkatërrim të pronës publike e private dhe shkelje të të drejtave të njeriut më datën 21 të muajit janar”, shton presidenti.

Kreu i shtetit shton se Shqipëria po përjeton një nga krizat politike më të vështira të tranzicionit demokratik, duke shtuar se Parlamenti ka funksionuar në të shumtën e rasteve gjysmë-plot apo gjysmë-bosh, duke cenuar mekanizmin e funksionimit pluralist. Sipas presidentit Topi, deputetët janë zgjedhur për problemet e popullit dhe jo për të ofruar arena betejash dhe skena politike të padenja dhe të pavlera.

Presidenti shpreh shqetësimet për qëndrimet e maxhorancës dhe opozitës. “Jam shumë i shqetësuar mbi mungesën e deritanishme të komunikimit dhe të dialogut politik mes dy forcave kryesore politike. Mendoj dhe shpresoj se ngjarja tragjike dhe pasojat e saj negative për fatet e vendit dhe të demokracisë do të ndërgjegjësojnë, përgjegjësojnë mendjet e nxehura të politikës mbi domosdoshmërinë e qetësimit të situatës, gjetjes së kompromisit dhe zgjidhjes së konfliktit politik që po e mban pezull integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij”, vijon ai.

Kreu i shtetit i bën thirrje klasës politike në vend që të gjejë sa më parë një kompromis si rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kjo situatë ku ndodhet. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-31 15:51
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›