Topi mesazh ngushëllimi familjarëve të komandove
TIRANE- Presidenti i Republikës ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e jetës së dy komandove shqiptarë në Kandahar të Afganistanit, gjatë misionit të tyre paqeruajtës.
Në një mesazh bërë publik nga zyra e shtypit, presidenti i shpreh familjes, në emër të gjithë popullit shqiptarë, ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njerëzve të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi
Të nderuar familjarë të Kapiten Feti Voglit dhe Nëntetar Aleksandër Peçit,
Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të Kapitenit Vogli dhe Nëntetarit Peçi, që të dy ushtarakë shqiptarë të kontigjentit Eagle 4 në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan. Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni tju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njerëzve tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Më lejoni që si President i Republikës si dhe Komandant i Përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për tju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtyre dy heronjve të Forcave tona të Armatosura!
Në zemrat dhe kujtesën tonë të përbashkët kombëtare Kapiten Vogli dhe Nëntetar Peçi do të mbeten përjetësisht të paharruar për veprën e tyre heroike, për vetëmohimin dhe heroizmin e treguar në shërbim dhe në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë në botë, në luftën pakompromis kundër terrorizmit ndërkombëtar krah për krah me partnerët tanë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë. Me këtë rast, duke dënuar këtë akt të rëndë terrorist e duke kërkuar me vendosmëri ndëshkimin e autorëve, dëshiroj gjithashtu të vlerësoj lart kontributin heroik të të gjithë ushtarakëve shqiptarë, të cilët shërbejnë me misione paqeruajtëse anembanë globit si dhe të inkurajoj e të përgëzoj mbarë Forcat e Armatosura shqiptare për përmbushjen e misionit të tyre të guximshëm e vetëmohues!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.