E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Velipojë, banorët: Shteti na harroi

Rama takohet me banorët e komunës së Velipojës. Interesi i shtetit në këtë komunë është zero

SHKODËR - Kryetari i PS-së, Edi Rama, së bashku me deputetët e qarkut të Durrësit e të Shkodrës ishin dje në disa fshatra të komunës së Dajçit dhe të Velipojës. Për të shkuar në komunën e Velipojës është dashur të udhëtohet me një motobarkë.

Gjatë rrugëtimit me motobarkën që udhëtonte në një zonë që dukej si liqen, Rama dhe deputetët, panë bagëti të ngordhura në ujë, shtëpi të cilave iu dukeshin vetëm çatitë dhe ujësjellësin e komunës, i cili ishte tërësisht nën ujë dhe jashtë funksionimit. Gjatë takimit të zhvilluar, banorët kanë kërkuar që kryeministri i vendit të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar.

Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e PS-së, Edi Rama, ata janë shprehur se kjo fatkeqësi ka ardhur nga dora e njeriut dhe jo e Zotit dhe se interesi i shtetit në këtë zonë është nën zero.

Banorët janë ankuar gjithashtu për ndihmat e pakta që po u shpërndan shteti, si dhe për sorollatjet që po marrin nga komuna, qoftë për të përfituar edhe një gomone për tu zhvendosur.

"Nuk mund të përballohet me 600 gram ujë për frymë me pru për tash 10 ditë. Ne jemi një lagje këtu që nuk kanë kanale shkarkimi dhe ai ujë unë nuk e pi dot, sepse kam pusin, por nuk pihet. S'kanë turp na sjellin 600 gram ujë. Vijnë ndihmat me helikopter, por unë nuk i kam parë, sepse nuk kanë shkarkuar, vijnë në Velipojë dhe nuk shpërndahen. Vijnë 6 pako, në lagjen Selmanaj.

Kjo është katastrofë, nga këta njerëz të pashpirt, të pa formuar për këta njerëz. Çdo njeri, majtas e djathtas, të çohet në këmbë t'i ndihmojnë këta njerëz, sepse ekonomia e tij ka shkuar në zero. Sot për sot nuk kam besim te ky shtet, se më ndihmon apo jo", - u shpreh një nga banorët.

Por, shqetësimi i tyre nuk ndalet. "Këtu nuk vjen njeri me na pa. Jemi të falimentuar. Na kanë sjellë 300 gram ujë dhe atë nuk e kemi pranu. Këtu ka falimentu gjithçka", - tha një tjetër banor, teksa po bisedonte me kryetarin e opozitës.

Nga ana e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se është i nevojshëm që në momentin e përcaktimit të dëmeve, menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për t'i dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz.

"Është e domosdoshme që qeveria të nxjerrë një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje, duke ju dhënë para në dorë, në mënyrë që t'u dalin për zot nevojave të tyre të ditës dhe të mos presin nga qielli se do të bjerë apo jo një thes me miell apo do të zbresë një shishe me ujë.

Kjo është një nga ato katastrofa që nuk mund të mbulohet. E vërteta e këtyre katastrofave mund të vonojë, por nuk do të harrojë, sepse është e pamundur që për shkak të një keqqeverisje dhe për arsyen që lidhen me babëzinë, që lidhen me korrupsionin që lidhen me fshehjen e një grope të madhe ende plotësisht të pa bërë publike, siç është gropa e krizës ekonomike, është absolutisht e pamundur që kjo katastrofë të mos zbardhet dhe që e vërteta të mos dalë", - tha ai. Duke përmendur edhe Gërdecin, Rama shtoi se këto katastrofa janë kaq të rënda, dhe me kaq pasoja, sa që e vërteta nuk mund dhe nuk do të harrojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›