E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në familjen e Feti Voglit: Shteti pranë jush

Duke u takuar me familjarët e të ndjerit, Kreu i Shtetit, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duke vënë në pah njëkohësisht aktin sublim e heroik të dëshmorit shqiptar në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë nëpër botë.

“Padyshim për të garantuar që i gjithë shteti, të gjitha institucionet, do të jenë pranë këtyre familjeve dhe pranë të gjitha Forcave të Armatosura që kontribuojnë në misione të tilla heroike në vatrat më të nxehta për të çuar atje mesazhin e paqes, të rikthimit të normalitetit dhe për të luftuar me shumë motivim kundër terrorizmit ndërkombëtar. Shteti, të gjitha institucionet po marrin masat e duhura për të bërë ceremonitë. Unë nga ana ime, para se të vij këtu, kam ushtruar të drejtën time si President dhe si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të dhënë ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’ për Kapiten Voglin, i cili shkoi deri në vetëmohim në këtë mision, por edhe për Nëntetar Peçin, i cili së bashku me kolegët e tij, përballuan një mision jashtëzakonisht të vështirë”,  tha Topi.

Po sot në mesditë, Presidenti Topi i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, zhvilloi një vizitë edhe në Bathore, në familjen e Nëntetarit të plagosur në Kandahar, Aleksandër Peci, ku u takua me familjarët e tij, duke u interesuar personalisht dhe institucionalisht dhe duke uruar përmirësim të gjendjes shëndetësore dhe shërim sa më të shpejtë të djalit të tyre, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Presidenti Topi i siguroi familjarët e Nëntetarit Peci se

“Mbarë populli shqiptar është pranë tyre në këto momente të vështira dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet, edhe nga ana e aleatëve tanë për kurimin e tij.” Me këtë rast, Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të komandove të Forcave të Armatosura, si paqeruajtës të denjë në shërbim të misioneve të NATO-s duke theksuar se me cilësinë e Presidentit të Republikës si dhe të Komandantit të Përgjithshëm, i ka akorduar Nëntetarit Aleksandër Peci “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, të cilën do t’ia dorëzojë personalisht kur ai të shërohet. /Start/

                                                                                             2012-02-21 16:00
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›