Topi ngushëllon familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi

Kreu i shtetit Bamir Topi ka zhvilluar sot një vizitë në familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili u vra dy ditë më parë në qytetin e Vlorës nga një atentat mafioz.
I shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj dhe anëtarë të Kabinetit, Topi shprehu dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor.
“Nuk gjej fjalë për t`ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal e barbar të paprecedent, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë duke ju siguruar njëkohësisht se shteti shqiptar dhe të gjitha strukturat përkatëse të zbatimit të ligjit po punojnë intensivisht për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë!” – u shpreh Presidenti Topi.
Ndërkohë edhe pse kanë filluar hetimet intensive, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar, atentati mafioz kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi vijon të mbetet i mbuluar me mister.
Janë disa versione dhe pista për ngjarjen, ndërkohë që dje kreu i Policisë së Vlorës tha se shumë shpejt do të bëhet i ditur dhe emri i autorit.
Mësohet se grupi hetimor, i cili po analizon me detaje ngjarjen e së premtes, po punon në tre pista kryesore. Dyshimet janë hedhur në një atentat të mundshëm për shkak të detyrës dhe për këtë, grupi hetimor ka kërkuar nga Gjykata e Vlorës dosjet që Konomi ka gjykuar në 6 mujorin e fundit. Pista e dytë ka të bëjë më çështjet e pronësisë, pasi gjyqtari ishte përfshirë në një akt gjyqësor për 40 ha tokë në Gjirin e Lalzit në Durrës, ndërsa alternative e tretë, të paktën deri tani është ajo e një konflikti personal, pavarësisht dëshmive pozitive nga persona të afërm të tij.
Ndërkohë që hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi vazhdojnë, policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh, për informatorin i cili do të japë të dhëna për identitetin e atentatorëve të këtij krimi të rëndë.