Kërcënohet Hysni Burgaj?
Rriten masat e sigurisë në banesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ende nuk janë dhënë motive zyrtare për këtë rritje të nivelit të sigurisë personale dhe familjare për kryepolicin e vendit, por burime të rezervuara brenda Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit konfirmuan për Shekullin se janë urdhëruar efektivë të shtuar të Drejtorisë së Tiranës, të komisariatit nr.4, agjentë krimesh dhe patrulla e përgjithshme e policisë, të qëndrojnë në rrugën Ferit Xhajko, me fokus në zonën e ngushtë të banimit të z.Burgaj.
Vetë drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, i kontaktuar në telefon nga gazeta Shekulli, nuk pranoi të jepte komente. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së Shekullit, nëse kishte ndonjë koment mbi rritjen e masave të sigurisë për të dhe familjen e tij. As zëdhënësja e Policisë së Shtetit, nuk pranoi të jepte komente mbi çështjen duke thënë në linjë telefonike se nuk ishte në dijeni të një fakti të tillë.
Por agjentë të Vëzhgimit të Njësisë Operacionale të Policisë së kryeqytetit, agjentë të krimeve të drejtorisë së policisë si dhe patrulla të komisariatit nr.4, janë instaluar në zonën ku banon Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe shihen lehtë nga një vëzhgim në zonë. Burimet thanë se urdhëri për rritjen e masave të sigurisë për z.Burgaj dhe familjen është dhënë pasditen e premtes rreth orës 16:00.
Burime të ndryshme brenda policisë të pyetura dje, konfirmuan se ka një situatë shumë të nderë tensioni mes drejtorit Burgaj dhe nëndrejtorit Agron Kuliçaj, pas publikimit disa ditë më parë të një kabllogrami të Ambasadës Amerikane ku thuhet se Burgajt ju kërkua nga Ambasada të hiqte Kuliçajn nga detyra për shkak të rasteve të korrupsionit dhe dyshimeve për bashkëpunim me Dritan Dajtin. Burgaj i është përgjigjur ambasadorit në bisedën konfidenciale se ai dhe të tjerë në polici e njihnin problematikën e Kuliçajt por ai nuk kishte pushtet mbi të megjithëse e kishte vartës. Burgaj i tha Ambasadorit që lëvizjen e Kuliçajt mund ta bënte vetëm Sali Berisha.
Prej ditës së botimit të këtij kabllogrami marrëdhëniet Burgaj-Kuliçaj kanë qenë shumë të tensionuara. Burgaj nuk është paraqitur në zyrë ditën pas publikimit në media të kabllogramit të Wikileaks, madje gjatë ditëve të fundit janë shtuar zërat në korridoret e Drejtorisë se Burgaj do hiqet nga kjo detyrë, i tha Shekullit, i njëjti burim policor që konfirmoi rritjen e masave të sigurisë për kryepolicin e vendit.
Hysni Burgaj, 25 vjet në polici
Hysni Burgaj njihet me nje karriere 25-vjeçare ne polici. Para emërimit në vend të Ahmet Prençit ai ishte zevendesdrejtor i Pergjithshem i Policise. Ai është emëruar në 29 tetor 2009. Po atë ditë pas ka thene formulen e betimit para nje sere drejtuesish te larte te policise, si dhe ministrit te Brendshem Lulezim Basha, e ish drejtorit te Pergjithshem, Ahmet Prenci. Z.Burgaj nuk i ishin larguar akoma emocionet nga ky emerim i papritur jo vetem per te. Eshte ne nderin tim te mbaj lart flamurin e policise se shtetit, tha drejtori i ri Burgaj në 29 tetor. I ndodhur mes një drejtori të përgjithshem të sapoemeruar nga Keshilli i Ministrave dhe nje tjetri që sapo la detyrën, kryetari me procedurë i Bashkisë së Tiranës, asokohe ministër i brendshëm Lulzim Basha, perveç policise apeloi per ndihme edhe qiellin. Do te keni mbeshtetjen e plote te qeverise ne misionin tuaj. Zoti e bekofte policine e shtetit, tha Basha.