Topi-politikës:Jo debate të pafrytshme, më shumë vëmendje fëmijëve

Kreu i shtetit Bamir Topi i ka përcjellë sot një mesazh politikës shqiptare që të mos harxhojë kohë për diskutime të gjata të pafrytshme por t`i kushtojë më shumë kohë fëmijëve. Duke folur në takimin e zhvilluar me fëmijët me rastin e 1 Qershorit, ditës së fëmijëve, presidenti Topi apeloi për më shumë altruizëm për fëmijët
“Unë dua të bëj një apel për politikën shqiptare që të kenë më më shumë vëmendje, më shumë altruizëm për fëmijët dhe më pak shpenzim kohe për zgjidhje racionale, për komunikime shumë të gjata pa fryte sikurse jemi mësuar të shohim. Të jenë më konkret më të realizuar pasi kështu do të ndihemi mirë të gjithë” theksoi Topi.
Gjithashtu kreu i shtetit theksoi më tej se ndjeshmëria më e madhe në 1 qershor shkon për fëmijët jetimë ndërsa kërkoi nga autoritet më shumë vëndje për këta fëmijë.
“Askush nuk e parashikon fatin, por në një vend demokratik shoqëria dhe njerëzit duhet të jenë të ndjeshëm. Fatin e fëmijëve duhet ta marrin në dorë intitucionet dhe fatin e tyre duhet ta marrë në dorë politika për ta bërë jetën e tyre më të lehtë dhe jo vetëm kur ata kanë këtë status por edhe për ti përgatitur ata për në jetë, pasi nëse nuk ndodh kështu atëherë përkujdesja do të cilësohej si një proces teknik. Unë mendoj se secili nga ne ka bërë shumë pak dhe këtu nuk ka për qëllim të shigjetoj askënd sepse jemi pjesë e këtij mjedisi. Por unë theksoj se duhet më shumë vëmendje për fëmijët në përgjithësi, më shumë për edukimin e tyre . Jam i bnindur se ata që rriten sot do të jenë në të ardhmen qytetarë të Europës” theksoi më tej Topi.