Zaganjori: Takimi me Ramën, për t`u prezantuar

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar sot në selinë rozë me kandidatin e mazhorancës për president të vendit Xhezair Zaganjori. Në një prononcim për mediat, Zaganjori theksoi se takimi është kërkuar nga vetë ai dhe pas kërkesës është pritur nga kreu i PS-së Edi Rama.
“Takimi me Ramën ishte për t`u prezantuar dhe për t`u njohur nga afër. I shpreha arsyet e mia që më shtynë për të marrë vendimin për të kandiduar që nuk e kam pasur të lehtë. Unë mendova se takimi është në të mirë të debatit dhe të procesit që po zhvillohet. Takimin me Ramën e kërkova unë” theksoi Zaganjori.
Takimi mes Ramës dhe Zaganjorit zhvillohet vetëm pak ditë përpara se të zhvillohet raundi i dytë i votimit për kreun e ri të shtetit në Parlament.
Raundi i parë i votimit për president dështoi pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën kompromis për të çuar në parlament një kandidat ndërkohë që kuvendi miratoi dje që dita e hënë, data 4 qershor të jetë edhe raundi i dytë i votimit.
Mazhoranca propozoi ditë më parë si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë nuk u pranua nga opozita e cila e cilësoi si të njëanshme.