E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Mujotën: Ruani maturinë politike

Presidenti Topi priti sot në Pallatin e Brigadave, Ministrin e FSK-së, Mujota. Kreu i shtetit vlerësoi punën e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së maturisë politike dhe të respektimit të të drejtave të pakicave. 

TIRANE- Presidenti Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Topi vlerësoi faktin që klasa politike kosovare dhe qytetarët kosovarë, që prej shpalljes së pavarësisë, kanë dëshmuar vazhdimisht maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim maksimal për sfidat në konsolidimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike, jo vetëm në aspektin politik e ekonomik, por dhe në atë të sigurisë.
Kreu i shtetit ndërsa vlerësoi punën e Forcës të Sigurisë së Kosovës theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së maturisë politike dhe të respektimit të të drejtave të të gjithave pakicave. Dy bashkebiseduesit ndërsa nënvizuan se rruga Durrës-Kukës-Morinë do të jetë një arterie kyçe mes dy vendeve thanë se duhet të rritet vigjilenca dhe angazhimi maksimal i të dy vendeve në drejtim të rritjes së sigurisë, luftës ndaj kontrabandës, krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme etj. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›