Topi pret homologun hungarez
TIRANË - Presidenti shqiptar, Bamir Topi ka pritur Presidentin e Hungarisë, Lazlo Solyom, i cili ka mbërritur për një vizitë dy ditore në vendin tonë.
Sipas presidentit hungarez, liberalizmi i vizave për shqiptarët mund të relizohet verën e ardhshme, nëse gjithçka me kushtet shkon mbarë. Ai ka theksuar se vonesa për Shqipërinë është thjesht teknike. "Nëse vendi mundëson mjete të sigurta identifikimi dhe bën kontrollin e mirë të kufijve, liberalizmi do të bëhet në fund të verës së ardhshme"- tha ai, duke shtuar se Hungaria është gati të ofrojë kurse specializimi për kualifikimin e punonjësve në përmbushjen sa më parë të kushteve teknike.
Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, Presidenti i Hungarisë do të takojë edhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjithashtu, axhenda e Presidentit hungarez Solyom parashikon një vizitë në qytetet turistike të Sarandës dhe të Durrësit, ku do të pritet nga autoritetet vendore.