E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi shkarkon tre prokurorë me kërkesë të Ramës

Te 3 prokuroret kandidojnë në zgjedhjet parlamentare për subjektin politik, PS. Me dekretimin e shkarkimit të tyre, plotësohet kështu një detyrim kushtetues për ata persona që nuk mund të kandidojnë për deputetë 

TIRANE-Presidenti Topi firmosi shkarkimin e tre prokurorëve, me kërkesë të vetë kryeprokurores Ina Rama. Tre prokurorët e shkarkuar kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për forca të ndryshme politike. Ermonela Felaj, Ulsi Manja dhe Fatmir Hoxha, kandidojnë që të tre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për subjektin politik Partia Socialiste. Me dekretimin e shkarkimit të tyre nga posti i prokurorit, plotësohet kështu një detyrim kushtetues për ata persona që nuk mund të kandidojnë për deputetë. Në nenin 69 të Kushtetutës përcaktohet se: “Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët, në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Kështu, duhet të largohen nga detyrat e tyre disa të zgjedhur vendorë të PD-së, si kryetari i komunës Klos, i bashkisë Fushë-Arrëz, i bashkisë Krujë apo dhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili kandidon në listat e PD-së.
Menjëherë pas shkarkimeve të këtyre prokurorëve do të bëhen emërime të tjera për postet që ata lënë bosh. E njëjta gjë do të ndodhë për të zgjedhurit vendorë. KQZ-ja, me të mbaruar zgjedhjet e përgjithshme, do të shpallë zgjedhje lokale për ato njësi ku kanë kandiduar këta të zgjedhur.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›