Topi takon Withers e Bosch: Zgjedhje korrekte

Presidenti i Republikes Bamir Topi, zhvilloi një takim informal me ambasadorin amerikan John Withers dhe atë të OSBE-se, Robert Bosch. Pas takimit, nëpërmjet një deklarate Topi u bëri apel partive politike që të jenë të kujdesshme. "Korrektësia e zgjedhjeve është vendimtare. Apeli im në këtë ditë është pjesëmarrja në zgjedhje me qetësi", tha Presidenti. Topi theksoi edhe një herë se ndërkombëtarët kërkojnë korrektësi në këto zgjedhje. Ndërkohë që ambasadori amerikan, John Withers deklaroi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë e bukur dhe demokratike. "Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë individualisht", tha Withers. Ambasadori amerikan bëri edhe një herë apel për zgjedhje të lira. "Parim kryesor i zgjedhjeve duhet të jetë vullneti i qytetarëve", tha Withers. Ndërkohë që ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch u shpreh se deri tani situata zgjedhore paraqitet e qetë. Bosch i bëri apel qyetarëve të votojnë dhe të tërheqin kartat e identitetit.