E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi uron Gauk:Forcim të marrëdhënieve dypalëshe

Kreu i shtetit Bamir Topi përmes një mesazhi ka uruar sot homologun e tij Joahim Gauk për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të Gjermanisë.  “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t`Ju përcjell urimet më të ngrohta dhe miqësore me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë!” thekson Topi.
 

Ai shton më tej se fitorja dhe fillimi i mandatit të tij si President janë ngjarje shumë pozitive për kombin gjerman dhe do të influencojnë edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.  “Dëshiroj të shpreh dhe besimin tim se miqësia, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë miq dhe të përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e demokracisë, lirisë, zhvillimit dhe të drejtave të njeriut në vendet tona si dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit” thekson më tej Topi.

Ai gjithashtu ka shprehur vlerësim për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit euroatlantik si dhe në përfshirjen e saj sa më të shpejtë në familjen e madhe evropiane. “Theksoj gjithashtu vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim” thekson më tej kreu i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›