E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-vendorëve: Bashkëpunoni pavarësisht konjukturave politike

TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi i ka bërë thirrje sot pushtetarëve vendorë të bashkëpunojnë mes tyre dhe me pushtetin qendror pavarësisht konjukturave politike.
Mesazhi është dhënë sot gjatë konferencës "Praktikat më të mira të Qeverisjes Vendore", ku presidenti Topi ka qenë i ftuar dhe ka mbajtur një fjalë përshëndetëse.

Sipas Topit, kur flitet për qeverisjen vendore, sigurisht që dalin në plan të parë raportet me pushtetet e tjera, ndërkohë që termi i pavarësimit të institucioneve është domosdoshmëri për bashkëpunimin me të gjitha institucionet e tjera.

Presidenti ka kujtuar se ka raste kur për shkak të konjukturave të ndryshme politike, sikurse kanë qenë edhe disa eksperienca të kohëve të fundit, ka një mungesë të funksionimit normal të këtyre institucioneve.

"Si President i Republikës, unë do bëja thirrje që pavarësisht se si janë konjukturat politike, të gjithë duhet të gjejnë vullnetin, duhet të gjejnë mirëkuptimin që të bashkëpunojnë midis tyre, sepse tek e fundit që të gjithë punojnë në funksion të qytetit tuaj, të komunave që ato mbulojnë dhe pse tek e fundit përfaqësojnë votën e qytetarëve, të cilët i kanë votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor"- tha ai.

Pa hyrë në raste konkrete, Topi ka kujtuar se mungesa e përgjegjshmërisë, mungesa e demonstrimit politik në disa momente bëjnë që të mos zbatohen, të anashkalohen apo të zvarriten projekte shumë të rëndësishme.

Ai ka garantuar se do të jetë përkrah tyre për t'i inkurajuar, duke shtuar se politika, institucionet, strukturat e pushteti vendor kanë detyrimet e tyre ndaj qytetarit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›