Topolanek:Kritika planit amerikan për ekonominë
Kryeministri çek Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian ka përsëritur kritikat e tij lidhur me planin amerikan për ringjalljen e ekonomisë. Topolanek është shprehur se kombinimi i stimulimit dhe proteksionizmit do të pengojë sistemin global financiar. Topolanek e bëri këtë deklaratë në Parlamentin Europian në Strasburg, 10 ditë përpara samitit të G20-ës në Londër. "Sekretari amerikan i Thesarit Timoti Geitner flet për veprime të përhershme dhe në sesionin tonë të pranverës, u alarmuam prej kësaj. Ai flet për një fushatë të gjatë stimulimi për SHBA-në. Të gjitha këto masa, kombinimi i tyre dhe permanenca është një rrugë drejt ferrit", tha Topolanek. Qeveria e Topolanek u rrëzua ditën e martë nga një mocion mosbesimi i parlamentit vendas. Mirëpo Topolanek deklaroi para anëtarëve të Parlamentit Europian se problemet aktuale të qeverisë së Republikës Çeke nuk do të ndikojnë në presidencën e BE-së dhe tek vendet e tjera. Ndërkohë, kryeministri britanik Gordon Braun pritet që të përsërisë thirrjet për një stimulim më të madh fiskal për ekonominë dhe më shumë regullatorë financiarë gjatë një vizite në SHBA që është pjesë e një turneu para samitit të G20-ës. Braun do të vizitojë tre kontinente përpara samitit duke iu bërë thirrje qeverive që të mbështesin planet për më shumë veprime stimuluese për ekonominë.