Toponimet, Totozani pesë pyetje për Aldo Bumçin
Ministria e Jashtme thotë se po punohet në këtë drejtim dhe pret përgjigje nga pala greke
Avokati i Popullit ka dalë dje nëpërmjet zëdhënëses së këtij institucioni, Elona Demollari me një deklaratë lidhur me problematikën e toponimeve të emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj, Greqi. Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me ankesat e mbërritura në këtë institucion lidhur me çështjen e pasqyrimit të toponimeve greke në dokumentet zyrtare të shtetasve shqiptarë. Avokati i Popullit e vlerëson një problem të rëndësishëm çështjen e mësipërme pasi është një problem që prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, veçanërisht fëmijët e shtetasve shqiptarë të larguar pas viteve 90, që kanë lindur dhe që jetojnë në shtetin grek. Çështja e toponimeve është ngritur dhe diskutuar me homologen e Totozanit, Caliope Spanou, gjatë vizitës që Avokati i Popullit pati në Greqi gjatë këtij muaji.
Pyetjet e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit i tërheq vërejtje Ministrisë së Jashtme për mungesë transparence dhe angazhimi, pasi nuk i është përgjigjur shqetësimit për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. AP i kërkon Ministrisë së Punëve të Jashtme që në një kohë sa më të shpejtë tu kthejë përgjigje disa pyetjeve:
1. Cilat janë shkaqet ligjore që kanë çuar në lindjen dhe bartjen e këtyre problematikave?
2. Cilat janë masat dhe procedurat që po ndiqen aktualisht nga autoritetet shqiptare për shmangien e pengesave në lëvizjen e shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek për shkak të problematikës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat shqiptare?
3. Cilat janë hapat konkrete të ndërmarrë për standartizimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, bazuar edhe në Udhërrëfyesit e Toponimeve të Grupit të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara UNGEGN (United Nations Group of Experts on Geographical Names)?
4. A është ngritur tashmë autoriteti shqiptar për standartizimin e përdorimit të emrave gjeografik në dokumentet zyrtare?
5. Cila është fatura financiare e parashikuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit?
Reagimi i MPJ-së
Ministria e Jashtme reagon pas deklaratës së Avokatit të Popullit lidhur me çështjen e toponimeve. Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e shtypit në MPJ thuhet se ky institucion ka zhvilluar një sërë takimesh me homologët grekë si dhe i ka përcjellë palës greke një propozim konkret, për të cilin pritet përgjigje. Ashtu siç iu komunikua edhe Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi gjatë takimit që zhvilluan së bashku ditën e premte, datë 26 korrik 2013, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë dhe vazhdon të mbetet plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe të tjerave në axhendën dypalëshe me Greqinë. Sa i përket çështjes së toponimeve, ajo është bërë pjesë e axhendës së bisedimeve zyrtare me palën greke qysh në vitin 2011, kur kjo e fundit e ngriti si problem. Në funksion të zgjidhjes së saj janë zhvilluar një numër i madh takimesh dypalëshe, në Tiranë dhe Athinë. Gjatë këtij viti Ambasadori grek është thirrur në mënyrë të përsëritur në MPJ për këtë çështje dhe po ashtu, Ambasadori ynë në Athinë ka zhvilluar rregullisht takime në MPJ-në Greke. Kjo çështje është ngritur nga pala jonë edhe në takimet e Ministrit të PJ, z. Aldo Bumçi me Homologun e tij grek, z. Dimitris Avramopulos, thuhet në deklaratën e MPJ.
Shqipëria dhe Greqia pranë marrëveshjes për toponimet.