Qeveria e re dhe sfidat e ambasadorit amerikan
Opinion nga Ermir Xama
Duket se këtë vit Shqipërinë e kanë ndjekur zgjedhjet, rotacionet, ndryshimet politike, emërimet dhe shkarkimet duke shkuar deri te ndryshimi i trupit diplomatik që akreditohet në vendin tonë. Rastësi ose jo, ndryshimi i qeverisë solli dhe ndryshimet në diplomaci. Në kohën kur po diskutohej miratimi i tri ligjeve në një deklaratë për mediat ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth deklaroi se i përfundonte mandati në Shqipëri. Wollfarth u largua nga Shqipëria duke vlerësuar zgjedhjet e 23 qershorit dhe i quajti ato me standarde. Një muaj pas largimit të Wollfarth Presidenti i SHBA, Obama firmos emrin e ri të ambasadorit amerikan që do të zëvendësojë Aleksander Arvizu, i cili ka ardhur në Shqipëri nga nëntori i 2010-s. Ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri do të jetë Donald Lu. Por ajo që do të vërë në lëvizje median, opinionin publik, kritikët do të jëtë se çfarë qëndrimi do të mbajë ambasadori Donald Lu në raport me mazhorancën e re socialiste?
Historia e politikës shqiptare ka treguar se roli i ambasadorit amerikan është shumë i rëndësishëm, deklaratat e tij komentohen, analizohen dhe interpretohen. Disa i shikojnë si kritike dhe disa i interpretojnë si deklarata pro qeverisë. Por një gje e kuptojnë të gjithë që rëndësia e tij është vendimtare në vendimmarrjen politike shqiptare. Prapaskenat politike, shpesh tregojnë edhe ulje-ngritje të raporteve mes ambasadorit amerikan dhe qeverisë shqiptare. Kjo të paktën është treguar shumë qartë në qëndrimet që kanë mbajtur disa nga ambasadorët amerikanë që kanë qenë në Shqipëri, p.sh qëndrimi i Withers me qeverinë e Berishës mori drejtim tjetër që pas tragjedisë së Gërdecit. Madje shpesh herë vetë Departamenti Amerikan i Shtetit ka “goditur” qeverinë shqiptare në raportet e publikuara.
Sfidat e qeverisë së re do të jenë të shumta, të cilat shpesh herë do të kërkojnë edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, kryesisht atij amerikan. Së pari, një nga sfidat që ambasadori amrikan do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt apo tërthorazi, është sfida për rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo sfidë në qeverinë e Berishës për shumë kohë mbeti pezull për shkak të mosmiratimit të tre ligjeve, të ashtuquajtura si 3 ligjet e integrimit. Përpjekjet e ndërkombëtarëve që të miratoheshin këto ligje kanë qenë të shumta. Ata kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore që dy forcat politike të gjenin gjuhën e përbashkët për miratimin e këtyre ligjeve, dhe kjo u realizua duke u përshëndetur nga ambasadorët e BE në Shqipëri dhe nga ambasadori amerikan Arvizu. Miratimi i këtyre ligjeve ishte vetëm hapi i parë që me ndihmën e ndërkombëtarëve arritëm që të kapërcejmë një pengesë. Pavarësisht se ambasadorët flasin gjithmonë se sfidat që ka vendi duhet të kalohen nga klasa politike, një pjesë të përgjegjësisë së këtyre sfidave e kanë vet diplomatët e akredituar. Donald Lu do të vazhdojë rrugën e mbetur që ndoqi Arvizu. Për qëndrimin politik të ambasadorit të ri duhet të presim, por një gjë është e sigurt, që deklaratat dhe mesazhet e tij do të jenë: “Më shumë bashkëpunim dhe kompromis mes palëve në kuadër të integrimit të vendit”. Për pjesën më të madhe të opinionit kjo do të duket si një mesazh standard që e jep çdo diplomat, por në fund të fundit ambasadorët dërgohen për të promovuar interesat e vendit nga vijnë në vendin që ata akreditohen.
Së dyti, ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe ka qenë në qendër të vëmendjes nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Diskutimet dhe akuzat që e majta po i bën qeverisë në ikje do të sjellë jo pak debate kur socialistët të ulen në karrigen e qeverisë. Ata pretendojnë se të djathtët kanë boshatisur arkën e shtetit. Administrimi i ekonomisë dhe i financave do të jetë një tjetër sfidë e qeverisë së re. Projektet e financuara nga amerika, investitorët e huaj në Shqipëri do të bëjnë ambasadorin e ri të SHBA që të jetë i pranishëm në aktivitetet dhe tryezat që qeveria e re do të organizojë në favor të një ekonomie sa më të mirë për vendin tonë.
Së treti, është folur që Shqipëria duhet të këtë një opozitë të fuqishme. Këtë premtim e ka bërë dhe kreu i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Opozita e re shpesh herë do të jetë pengesë kryesore për qeverinë “Rama”. Por të jesh opozitë e fuqishme nuk do të thotë që të bëhesh pengesë. Kjo do ta detyrojë ambasadorin e ri amerikan të vizitojë shpesh selinë e PD-së.
Pra unë do të thoja që shumica e sfidave që do të këtë mazhoraca e re do të jenë dhe një sfidë për ambasadorin amerikan. Sepse kur bëhet fjalë për politikë shqiptare sidomos për çështje që duhet bashkëpunim pozitë-opozitë, Amerika reagon e para dhe në fakt sytë e të gjithëve drejtohen nga faktori ndërkombëtar kryesisht amerikan.