Cilët ishin përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha që hodhën firmën për copëtimin e trojeve shqiptare
Njëqind vjet më parë/ Konferenca e Ambasadorëve në Londër shiti 2/3 e trojeve shqiptare
Nuri Dragoj, studiues
Njëqind vjet më parë në Londër, zhvilloi punimet Konferenca e Ambasadorëve, e cili i filloi punimet më 17 dhjetor 1912 dhe i mbylli ato më 29 korrik 1913. Përfundimi i saj ishte copëtimi i trojeve shqiptare, duke lënë 2/3 e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Në atë konferencë bënin pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglia, Austro-Hungaria, Rusia, Italia, Franca dhe Gjermania. Pyetja e parë që mund ti lind kujtdo është, se cilët ishin burrat që përfaqësonin vendet e botës së qytetëruar dhe që kishin marrë përsipër të zgjidhnin krizën ballkanike? Çfarë bekgraundi kishin patur gjer në atë kohë? Emërimi i tyre në poste të tilla kishte qenë fat i rastësishëm apo kishte ndikuar prejardhja familjare? Roli i aftësive individuale të tyre, që kishin bërë të mbërrinin në atë sallë gjigande, e cila do të vendoste në një farë mënyre, jo vetëm fatet e Ballkanit, por edhe horoskopin europian të luftës.
Edward Grey, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve
Ishte Ministër i Punëve të Jashtme të qeverisë së Mbretërisë Angleze. Lindi më 25 Prill 1862 dhe vdiq më 7 Shtator 1933. Në vitet 1905 1916, ai kishte shërbyer si Ministër i Jashtëm i Anglisë. Ishte më i madhi i 7 fëmijëve të kolonelit George Henry Grey. Gjyshi i tij kishte qenë politikan liberal. Më 1880, Grey vazhdoi studimet në kolegjin Balliol, Oxford. Gjatë periudhës së kolegjit ai fitoi çmimin si kampion në Tenis, në aktivitetet e zhvilluara në kolegj. Me 1882, gjyshi i tij vdiq dhe Grey trashëgoi një tokë me sipërfaqe 8.1 km2, si dhe pasuri të mëdha monetare. Në shkollë kishte shumë vështirësi. Gjatë vitit 1883, kishte vendosur të studionte për jurisprudencë, të cilën e shihte si degë më të thjeshtë. Por prapë nuk arriti ta mbaronte shkollën. Në verën e vitit 1884, ai i kërkoi ndihmë komshiut të vet, Lordit Northbrook, në atë kohë me pozicion Lord i Parë, që ti gjente një punë serioze pa pagesë. Northbrook e rekomandoi si sekretar privat të Konsullit Britanik në Egjipt. Grey nuk kishte treguar asnjë interes për politikën, deri në momentin kur u përzgjodh nga Lordi Northbrook. Njihet si ministri i jashtëm më jetëgjatë i Anglisë. Gjatë Konferencës së Londrës, ai do të luante një rol të rëndësishëm. Në thelb, Konferenca e Londrës ishte një thertore për Shqipërinë, ndërsa Grey, Ministër i Jashtëm i Anglisë në atë kohë, ishte pjesëmarrës direkt në këtë masakër.
Konti Albert von Mensdorff Pouilly Dietrichstein
Ambasadori austro-hungarez në Britaninë e Madhe. Ai e kryente këtë funksion që nga viti 1903. Në të njëjtin post më parë kishte qenë babai tij. Mensdorff luajti ndikim të madh në marrëveshjen anglo-ruse të vitit 1907. Lindi në Lemberg, më 5 shtator 1861, si djali i dytë i Alexander von Mensdorff – Pouilly, Prince Dietrichstein von Nicolsburg, një ish – politikan austro – hungarez. Gruaja e tij ishte Aleksandrina, konteshë von Dietrichstein – Proskau und Leslie, trashëgimtare e Dietrichstein Princes. Familja e tyre ishte me origjinë nga krahina Lorrain e Francës. Prej andej kishte ikur në kohën e revolucionit francez të vitit 1790. Mensdorff Pouilly – Dietrichstein hyri në shërbimin e huaj austro-hungarez në vitin 1884 dhe u caktua si atashe në ambasadën austro-hungareze në Paris. Në vitin 1889, u transferua në Londër. Nga analistë të kohës, por edhe nga të mëvonshëm, ai konsiderohet si një diplomat efektiv dhe mjaft i njohur në qarqet aristokrate të Britanisë.
Pierre Paul Cambon (1843- 1924)
Diplomat francez me përvojë të gjatë, ambasador i Francës në Londër për vitet 1912-1913. Edhe në moshën 70 – vjeçare ishte ambasador i Francës në Londër, ku punonte qysh prej vitit 1898. Në fillim të karrierës së tij, Cambon u bë sekretar privat te Jules Ferry, në prefekturën e Seinës. Pas dhjetë vjet pune në administratë, ai do të emërohej sekretar i prefekturës, pastaj disa herë me detyrën e prefektit. Në vitin 1898 u caktua në Londër, ku shërbeu deri në vitin 1920. Aty, Cambon do të bëhej një figurë e rëndësishme për një kohë të shkurtër. Si përfaqësues i Francës në Konferencën e Londrës, ai ishte zgjedhur për tu dhënë rrugë luftërave ballkanike në vitet 1912 – 1913. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Cambon ndihmoi në intervenimin e sigurt britanik në anën franceze. Më vonë ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit d’Honneur dhe u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave. Ka qenë ambasador francez në Britaninë e Madhe, në vitet 1898 1920. Përveç të tjerave, njihet si një politikan që ka punuar kundër interesave shqiptare. Përmendet për rolin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore, sidomos në kontributin e dhënë që Anglia të hynte në luftë përkrah Francës. Familja e tij ishte në një farë mënyre, familje diplomatësh, pasi edhe vëllai i tij, Jules Cambon, gjatë asaj kohe, ishte ambasador i Francës në Berlin, detyrë të cilën e kreu nga viti 1907 deri në vitin 1914.
Aleksandër Benckendorff, (1849-1917)
Ambasador i Perandorisë ruse në Londër, në vitet 1903 – 1917. Ishte i biri i Contit Konstandin Benckendorff Alexander von dhe princeshës Louise de Croy. Ishte arsimuar në Francë dhe Gjermani. Para se të hynte në shërbimin diplomatik, në vitin 1869, shërbente si atashe në Firence dhe më pas në Romë. Ai dha dorëheqjen në vitin 1876. Ka jetuar gati dhjetë vjet me pasuritë e tij në Shën Peterburg dhe jashtë vendit. Në vitin 1879 u martua me konteshën Sophie Shouvaloff. Detyrën e ambasadorit rus në Londër më parë e kishte kryer babai i tij, i cili përmendej ndër diplomatët e shquar rus. Por edhe ai do të luante ndikim të madh në marrëveshjen anglo – ruse të vitit 1907. Konti Benckendorff, nga viti 1903 deri në vdekjen e tij më 1917, ishte ambasador në Mbretërinë e Bashkuar. Arritja e tij më e madhe ishte nënshkrimi i Antantës anglo – ruse më 1907, e cila konsolidoi marrëdhëniet midis dy kombeve dhe ndihmoi në krijimin e Antantës Triple. Vdiq në zyrën e tij para shpërthimit të revolucionit të shkurtit 1917.
Karl Max Lichnowsky, ambasador gjerman në Londër
Diplomati gjerman e kryente këtë detyrë nga viti 1912 deri më 1914. Përjetoi ngjarjen e madhe të kufijve ballkanikë, e cila për Shqipërinë ishte një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare të historisë së saj. Ai pati shumë kritika brenda Gjermanisë, para dhe pas Luftës së Parë Botërore, sepse nuk mundi të pengonte hyrjen e Britanisë së Madhe në konflikt. Karl Max Lichnowsky ka qenë këshilltar i Divizionit Politik në Wilhelmstrasse dhe përgjegjës për emërimet. Meqenëse kritikohej për politikë të pavarur nga shteti, u largua nga ajo detyrë. Më vonë u emërua ambasador i Gjermanisë në Londër, 1912 – 1914. Karl Max Lichnowsky, erdhi nga Moravian Silesian prej fisnikërisë Lichnowsky. Prindërit e tij ishin Karl Lichnowsky dhe Marie Princess of Croy, një bijë e princit Franz von Philipp Croy.
Konti Guglielmo Imperiali, përfaqësues i shtetit italian
Ai kishte qenë ambasador i Italisë në Berlin deri në vitin 1885. Më vonë, në Paris deri në vitin 1889, në Uashington deri më 1893 dhe në Bruksel deri në 1895. Në vitin 1901, do të caktohej si i ngarkuari me punë në Berlin, ku qëndroi deri në vitin 1903. Më vonë, konsull i Përgjithshëm në Sofje dhe në janar 1904, do të gradohej ministër i plotfuqishëm në Beograd. Më vonë ka qenë ambasador në Kostandinopojë, në Perandorinë Osmane, ku qëndroi deri në vitin 1910, kohë në të cilën mori çmimin prestigjioz ne selinë e Londrës. Ishte ambasadori i Italisë në Londër, nga viti 1910 deri në vitin 1920. Ai luajti rol të rëndësishëm në futje