E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani-kryebashkiakëve: Siguroni qasje në ujë të pastër për qytetarët

dita-e-ujitTiranë- Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një rekomandim krerëve të njësive vendore në vend ku kërkon Marrjen e masave për furnizimin normal me ujë të pijshëm, dhe brenda kushteve higjeno-sanitare për gjithë banorët.

Sipas Avokatit të Popullit qytetarët në vend jo vetëm po përballen me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe faktin se uji që ata mundohen të sigurojnë nëpërmjet gropave septrike rezulton i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Të nderuar Zotërinj,

Institucioni i Avokatit të Popullit, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të shtetasve nga veprimet apo mosveprimet të organeve të administratës publike, ka ndërmarrë me inisiativë trajtimin e rasteve të banorëve në zona të ndryshme në gjithë vendin, të cilët jo vetëm po përballen me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe faktin se uji që ata mundohen të sigurojnë nëpërmjet gropave septrike rezulton i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Problemi që ju prezantojmë bëhet edhe me i ndjeshëm veçanërisht në stinën e verës ku krahas temperatuarve tepër të larta në të cilat përballemi, mungesa e ujit të pijshëm apo i ndotur në shumë raste, është rrezikik për shfaqen e epidemive dhe dëmtimin e shëndetit të konsumatorëve.

Avokati i Popullit në analizë të fakteve për këtë situatë, në shumë raste është përballur me indiferentizëm, mosreagim nga e institucioneve përgjegjëse dhe me keqardhje është konstuar se shpesh herë mbahet një qëndrim pasiv dhe nuk po veprohet për marrjen e masave për rregullimin e këtyre situatave.

Për sa më sipër, në mbrojte të interesave të ligjshme të konsumatorit, duke i vlerësuar të drejta dhe të bazuara në ligj të gjitha rastet, kërkojmë të sjellim në vëmendjen tuaj ushtrimin e detyrave tuaja funksionale dhe marrja e masave të menjëhershme për furnizimin me ujë të pijshëm brenda gjithë kushteve higjeno-sanitare në mënyrë të vazhdueshme për gjithë banorët të cilët vuajnë mungesën e furnizimit me ujë për shkaqe të pavaruara nga ana e tyre.

Nevoja emergjente për furnizim me ujë të pijshëm brenda kushteve higjeno-sanitare diktohet nga Direktiva e Ujit të Pijshëm 98/83/KE datë 03.11.1998, që ka të bëjë me një kompleks normash që synojnë mbrojtjen e shëndetit të njeriut duke vendosur kritere për shëndetin dhe pastërtinë.

Gjithashtu, e drejta për furnizim me ujë të pijshëm brenda kushteve higjeno-sanitare është përcaktuar edhe në Udhëzuesin e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e konsumatorit në të cilën citohet se: Qeveritë duhet që brenda objektivave dhe synimeve të përcaktuara në Dekadën Ndërkombëtare për furnizimin me Ujë të pijshëm dhe për higjenën, të formulojnë, të mbajnë dhe fuqizojnë politikat kombëtare për të përmirësuar furnizimin, shpërndarjen dhe cilësinë e ujit të pijshëm..

Institucioni i Avokatit të Popullit krahas përmbushjes së detyrave tuaja funksionale në drejtim të ofrimit të një shërbimi publik, ju vë në dukje se të drejtat e konsumatorëve për gjithë banorët të cilët përballen me mungesa të vazhdueshme në furnizimin me ujë brenda kushteve teknike janë inekzistente.

Kështu, bazuar në Ligjin Nr. 9902 datë 17.04.2008, Për mbrojtjen e konsumatorit, neni 4 pika e e tij ndër të tjera parashikon si të drejta bazë për konsumatorin edhe ofrimin e shërbimeve publike, e në rastin konkret furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo e drejtë e konsumatorit nuk i shërbehet për përmbushjen e kërkesave të tij në drejtim të pajisjes me një rrjet të standartizuar uji.

Ofrimi i shërbimit publik të furnizmit me ujin të pijshëm në gjykimin tonë është një nevojë thelbësore për individët dhe për rrjedhim një të drejtë elementare për ta poseduar atë lirisht dhe në përputhje me standartet. Ndaj dhe çdo keqmenaxhim i këtij shërbimi është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të shtetasve, nuk mund të gjejë tolerance, si dhe nuk i përgjigjet standarteve minimale të një vendi që ka në qendër të vet të drejtat e njeriut, mirëqënien e qytetarëve dhe aspiron të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Për sa më sipër, për të gjitha arsyet që parashtuam, në perputhje me nenin 63/3 të  Kushtetutës  së Republikës së Shqipërisë ku përcaktohet se Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime  dhe të në mbështetje të nenit 63/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë, si dhe të nenit 21/b, të Ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999, Për Avokatin e Popullit, në të cilët thuhet se: Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që, sipas tij, ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive,

REKOMANDOJMË: Marrjen e masave për furnizimin normal me ujë të pijshëm, dhe brenda kushteve higjeno-sanitare për gjithë banorët në vend

Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999, Për Avokatin e Popullit, i ndryshuar, lutemi na ktheni përgjigje të argumentuar brenda afatit 30 ditor lidhur me masat ligjor dhe qëndrimin që do të mbani ndaj këtij rekomandimi,-thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit që drejtohet nga Igli Totozani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›