E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani në Greqi, viziton burgun e grave, takon 43 shqiptare

TIRANE-Avokati i Popullit, z.Igli Totozani përfundoi sot vizitën e tij zyrtare në Greqi, ku ndodhej me ftesë të homologes greke, znj. Calliope Spanou.
Sic bën të ditur zyra për shtyp e Avokatit të Popullit, ditën e fundit të vizitës, z.Igli Totozani vizitoi një nga burgjet e Greqisë, pikërisht burgun e grave në Eleona të Thivës, ku vuanin dënimin 43 gra shqiptare.

Ndër problemet që paraqitën qytetaret shqiptare ishin:
- Mungesa e librave dhe literaturës në gjuhën shqipe
- Kërkesa për transferim, për të realizuar dënimin në Shqipëri
- Pamundësia financiare për të paguar avokat mbrojtës dhe për të kryer shërbime të caktuara, etj.

Kjo ishte hera e parë që të burgosurat shqiptare që vuajnë dënimin në burgjet greke, vizitoheshin nga një zyrtar shqiptar.

I njëjti burim bën me dije se për të gjitha problemet e ngritura nga emigrantët, nga vizita në burgje, apo të dala në takime dy palëshe, Avokati i Popullit do të ngrejë një grup pune, për të përgatitur rekomandimet përkatëse për Ministrinë e Jashtme shqiptare si dhe një raport të posaçëm për Parlamentin e ri.

Po kështu edhe zyra e shtypit të Ombudsmanes greke publikoi një njoftim për mediat greke, ku theksohet se
Të dy avokatët diskutuan çështje që u përkasin shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi, të cilat përbëjnë objekt të çështjeve individuale, ose dhe probleme më të gjera siç janë përshembull: njohja e periudhës së punësimit të tyre për përfitimin e pensioneve, apo çështja e toponimeve në certifikata, e cila krijon probleme veçanërisht tek fëmijët që kanë lindur në Greqi.

Zyra e shtypit e Avokatit të Popullit në Greqi bëri me dije se të dy institucionet u bëjnë thirrje institucioneve kompetente të të dyja vendeve për të gjetur sa më shpejt të jetë e mundur zgjidhjen më të përshtatshme, duke e parë çështjen nën prizmin e një interesi legjitim për këta fëmijë.
Në këtë kontekst ata u takuan dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, me të cilët diskutuan për shqetësimet e tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›