E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradita e bashkëpunimit pozitë-opozitë në pluralizmin shqiptar të paraluftës

22-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Ky bashkëpunim po kërkohet me ngulm nga OSBE-ODIHR-i, sidomos vitin e fundit. Kryetari i radhës së OSBE-së, ministri i jashtëm lituanez Audronius Azubalis, kërkoi këto ditë nga pozita dhe nga opozita “që të rinisin dialogun dhe t’i japin fund ngërçit politik në vend”. Një lexues i rregullt i lajmeve të transmetuara saktësisht,  pa luajtur presjen, - siç thuhet, - e kupton që në frazë të parë shqetësimin, por edhe dashamirësinë, ndaj vendit tonë, që edhe Shqipëria të fitojë të drejtën e statusit kandidat për aderimin në Bashkimin Europian. Në fillim të prononcimit të tij, kryetari i tanishëm  i zyrës së Bashkimit Europian u drejtohet të dyja forcave më të mëdha politike shqiptare, të cilat “duhet të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme si një detyrë që OSBE-ja të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE”. Ndërsa, siç vihet ré, thirrja e personalitetit të lartë të OSBE- së u drejtohet “palëve”, ajo konkretizohet më tej për cilat nga palët bëhet fjalë kur thuhet se “hapi i parë i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë është pjesëmarrja në parlament”. Këto tri fjalët e fundit përcaktojnë vetëm njërën ndër partitë kryesore të vendit. Nuk është hera e parë apo e njëqindtë e më tej që opozita jonë, domethënë E. Rama (se ai vetë shkruan e vetë vulos), e ka dëgjuar, - por e ka bërë veshin shurdh, - këtë thirrje që i drejtohet opozitës jo vetëm nga përfaqësues të institucioneve demokratike euroatlantike, por edhe nga vetë qeverisja jonë, përmes shprehjeve të kryetarit të saj. Është e qartë se cila nga forcat politike është bllokuese e parlamentit dhe me urdhër të kujt bëhet ky bllokim. Këtu, pra, kemi të bëjmë me prirjen për të përftuar një “ngërç”  politik, që përdoret si shprehje edhe në thirrjen e kreut të OSBE-së, njëherazi edhe ministrit të Jashtëm të Lituanisë, Azubalis. 
Opozitës sonë (Edvinit, më qartësisht) nuk i tingëllon mirë në vesh ajo shprehja “t’i jepet fund ngërçit politik” , (që e shohim edhe në thirrjen e ministrit lituanez) të cilën do të donte te jepej në një fjalí tjetër: “Të gjendet konsensusi politik”.  Në të vërtetë fjala “ngërç”, do të thotë “ngecje” (në fr. “impasse”, - rrugicë qorre, gjendje nga e cila është shumë e vështirë ose e pamundur të dilet). Ndërsa fjala e huaj “konsensus” ëshë dhënë në shqip nga leksikologët si “bashkëpëlqim”, ndonëse nuk ka gjetur përdorim të gjerë. Edi nuk e gëlltit dot fjalën “ngërç”, sepse është sajuesi i  kuptimit të vërtetë të kësaj fjale. Ai ka krijuar gjendje pa rrugëdalje, që të njëmendësojë privilegjin e hapjes së “postbllokut” përkundrejt një lëshimi. Për shembull ndaj koalicionit qeverisës kërkonte mosdjegien e fletëvotimeve, pavarësisht se në Kodin Zgjedhor është parashikuar djegia e tyre, pas një afati të caktuar, me qëllim që kutitë e votimit të përdoren në zgjedhjet e ardhshme. Ai nuk ka parasysh se kjo është e pamundur, meqë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, me firmën e tij dhe të palës tjetër. Madje përdor edhe shantazhin: “Po i dogjët, ju pret e zeza!”. Ky ngërç u vu në zbatim me sukses edhe kundrejt kundërshtarëve të brendshëm, që ia thanë në fytyrë se i kishte humbur zgjedhjet e 2009-s. Do të duhej të lëshonte kryetarllëkun në PS, që duhej ta mbante, tanimë, abuzivisht! Ia arriti qëllimit, në mënyrën më absurde të shpërdorimit të fjalës “transparencë” që, për hir të së vërtetës, duhej kuptuar si obskurantizmi më trashanik që u spërkat me ujë trëndafili!
Çelësi magjik, pra, i përdorur edhe në 8 majin e 2011-s, është refreni bajat “na i vodhën  votat”! Kujt t’ia vidhnin? Çimkave të tij, që e kanë për hoby përgjimin, që nga koha e merhumit? Tani që hasi sharra në gozhdë, nuk kanë nga t’ia mbajnë veçse të thonë se nuk është e vërtetë që kanë bllokuar parlamentin, se nuk është e vërtetë që ishin provokatorët e 21 janarit që u shpall me paradhënie se do të dilte jashtë kontrollit (!), kur nuk u bë asnjë tentativë që të mos dilte jashtë kontrollit, kur nuk duhej veçse një urdhër celulari! Të shohim sesi do t’ia gjejnë justifikimin edhe asaj fabulës me Griseldë, për të cilën nuk  morën as mundimin e përgënjeshtrimit!
***
Tani do t’ia lëmë fjalën Faik Konicës në një artikull të tij të rrallë, të pabotuar në Veprat disavëllimëshe të Faikut. Në vitin 1926 qëndrimi konfliktual i dy miqve të hershëm të mërgimit në SHBA, Fan Nolit dhe Faik Konicës  u acarua edhe më tepër, se Faiku e quante të dëmshëm vazhdimin e ëndërrimit radikal ndaj Ahmet Zogut. Si e argumenton Konica këtë qëndrim të ri kundër F. Nolit? “Fan Noli dhe unë kemi luftuar disa vjet që t’i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Zogu luftoi për një guvernë të një tipi më konservator. Ahmet Zogu na mundi dhe na mundi me themel. Ndryshimi midis Fan Nolit dhe meje është që unë e di se jemi të mundur paq, kurse shoku im s’ka haber që hëngrëm dru (...) Ahmet Zogu mori kurdoherë shumicën dhe kurdoherë na mundi.(...) Na mundi në shesh të luftës, ndonëse ne kishim një “ushtri” dhe përmbi 20.000 vullnetarë gati. Ikëm duke bërtitur se ordhitë e Serbisë shkelën Shqipërinë, kur e dinim shumë mirë se ishin vetëm një grusht Rusësh. Deshëm të tregojmë se të paktën në sheshin e diplomacisë kishim më tepër zotësi se Ahmet Zogu. Por edhe në këtë shesh maloku gjenial na mundi. Ne e shfaqëm zotësinë, duke mos e bërë dot guvernën tonë që të pranohet dhe të njihet nga bota e qytetëruar, duke i zhgënjyer me talljet tona në Gjenevë ata nga të cilët ka nevojë Shteti ynë dhe duke vënë në dyshim Fuqitë e perëndimit me intrigat tona me Bolshevikët (...) I mirë apo i lig, Zogu ka fituar besimin e popullit, si edhe besimin e Fuqive të mëdha, jashtë”. “Unë me budallallëkun tim them se kemi arritur në një fazë kritike dhe besoj se e vetmja mënyrë për të shpëtuar shtetin është një pajtim i ndershëm i të mundurve me Mundësin. Për ne që diç e dimë veten, është një çap i hidhur. Ata që s’duan ta bëjnë le ta vazhdojnë së gdhenduri pishë e së gatuari teneqe vajguri dhe le t’i vënë zjarrin Shqipërisë (8 tetor 1925)”.
Falënderojmë studiuesin e librit “Shqipëria Politike”  (botim i v. 2010),  z. Gazmend Bakiu, për qëmtimin e një pjese të rrallë të Faikut, me aktualitet të çuditshëm, pas 85 vitesh. Faiku ka qenë profetik dhe na ka dhënë një kuadër të ditëve të sotme, nëse ndërrojmë personazhet. Edi dhe bolshevizmi i tij replikohen në këtë polemikë të Konicës. Antagonisti i Konicës, në këtë stad të dytë, nuk ishte më Zogu, por ish-aleati i tij, që nuk kuptonte se ishte i mundur dhe tashmë kundërvënia nuk ishte në dobi të vendit. Prandaj Noli na përfytyrohet në këtë shkrim si një politikan i vogël , ndonëse qé një erudit i madh, një letrar gjenial, një përkthyes i shkëlqyer, që do të mbetej i pavdekshëm – siç thotë Faiku, - edhe vetëm me veprën e tij madhore, Autoqefalinë. Në të vërtetë edhe Fan Noli i thirri vetes, por me vonesë. Nipi i tim eti, Dhimitër Mandro, më tregoi njëherë se Fan Noli i ishte shmangur takimit që kërkoi Tuk Jakova, që ai dhe Dhimitri të takoheshin me Nolin, për ta përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare,  kur shkuan në Amerikë. Sipas dokumenteve autentike që paraqiten në librin e studiuesit Dode për Kosovën, përmendet në fac simile, urdhri i Enver Hoxhës për kapjen dhe ekzekutimin e Llazar Fundos, me shënimin kaligrafik “të ekzekutohet, pasi të torturohet”! Fan Noli, që kishte konsideratë të lartë për kulturën e madhe të Fundos, dhe për personalitetin e tij njerëzor ( që evidentohet edhe ne kujtimet e Vedat Kokonës), pati një nervozizëm të papërmbajtur për këtë qëndrim çnjerëzot të diktatorit shqiptar dhe duket, se që nga ajo kohë, i preu marrëdhëniet. Kohët e fundit të jetës së tij, filloi të fliste si Faiku për personalitetin e Zogut dhe vlerat e tij në dobi të Shqipërisë. Ndërsa Edvini, UN-in e tij e ka primar!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›