E Shtunë, 31 Tetor 2026

I soset durimi, Edi Rama i kthehet prapë bllokadës ndaj Evropës

22-07-2011 / Gazeta 55

Pasi krijoi bindjen se publiku mund të kishte krijuar idenë se PS po ndërronte kurs, Edi Rama u shfaq prapë në media, duke pohuar prerë se s’ka asnjë dialog e asnjë marrëveshje me mazhorancën, nëse s’shqiptohet fraza se atij i ishte vjedhur bashkia e se do të ndryshohej shumë shpejt kushtetuta. Fjalitë janë vija të kuqe që tregojnë se Edi Rama ka si synim politik varrosjen e aspiratës për marrjen e statusit kandidat për në BE brenda këtij viti


Opozita tregon dhe njëherë se s’është në gjendje t’i rezistojë konsensusit parlamentar me mazhorancën, në interes të reformave dhe kursit të integrimit Evropian. Vetëm pak ditë më parë Partia Demokratike do t’i drejtohej më anë të një letre Partisë Socialiste, duke e ftuar publikisht këtë të fundit për nisjen e dialogut të reformave, fillimisht përmes ngritjes së tryezës së përbashkët parlamentare të hartimit reformës zgjedhore. Por, përgjigja e socialistëve, përmes kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, sigurisht që ishte një sinjal refuzues, çka komplikon gjithnjë e më tepër çeljen e sezonit të reformave dhe implementimin e detyrimeve të Komisionit Evropian, për marrjen statusit të vendit kandidat në fund të vitit. Por, gjuha e refuzimit dhe neglizhenca e përgjegjësive shkon edhe më tej, duke kapërcyer logjikën e veprimit apo kundër veprimit politik. Në skenë del imazhi i arnimit të ligjeve si dhe forcimi i dyshimit të të majtëve se ligjet për interesa të mazhorancës! Edhe pse ngjason më tepër si një tollovi e mejhaneve të Pezës, kjo është deklaruar jo më larg se dje nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili në një intervistë televizive s’tregoi as minimumin e etikës së politikanit të moderuar dhe reformator, por përkundrazi në kujtesën e shqiptarëve riktheu shëmtinë e kërcënimeve dhe shantazheve të paskrupullta. Edhe pse pritej që Partia Socialiste të koncentronte aksionet e saj bastarde kundër institucioneve dhe tempullit të demokracisë, parlamentit, duke iu rikthyer dialogut parlamentar në të mirë të reformave dhe përmbushjes së atij detyrimi permanent ndaj votuesve të saj që në muajin korrik, në mënyrë që edhe Brukseli në draft konkluzionet e këshillit të Stabilizim Asociimit, të shtonte optimizmin se Shqipëria po i rikthehej normalitetit politik, duke nënkuptuar kështu se “marrja e statusit të vendit kandidat është vetëm një hap larg”. Jo më larg se dje, Edi Rama tregoi para syve të opinionit publik se kaosi dhe çudi-bërja vazhdojnë të kenë kapluar Partinë Socialiste dhe të majtën politike. Sipas tij, kjo e majtë, e presupozuar politikë bërëse, vazhdon të notojë në ujëra të turbullta, çka e bëjnë të pamundur shtrimin e urave të dialogut me mazhorancën. Kolapsi politik i brenda të majtës, dhe veçanërisht i Partisë Socialiste, vazhdojnë të mbeten një pengesë e madhe në ushtrimin e konsensusit fillimisht brenda-partiak. Këtë e tregojë replikat e ashpra të deputetëve, anëtarëve të kryesisë si dhe disa sekretarëve politik të PS-së. Jo më kot, në kushtet e mbijetesës politike, i rrethuar nga ndofta sulmues të zellshëm për interesa të mirëfillta pushtetare në parti, Edvini sheh të udhës t’i kundërpërgjigjet këtij “sulmi” përmes shantazhit të Kuvendit, bojkotit të institucioneve dhe kërcënimeve flagrante se s’do pranojë kurrë konsensusin e mazhorancës në miratimin e reformave. Duke e mbajtur Partinë Socialiste jashtë skemës institucionale, aq sa i rrezikon edhe legjitimitetin politik asaj, kreu i të majtës arrin të shuajë zërat ndryshe si dhe të neutralizojë në kohë rivalët potencialë, të cilët prej muajsh të tërë bëjnë politikë kundër tij. Por, pasi ka shpërdoruar të gjitha kartat dhe kalkulimet e mundshme për të zhbërë këtë situatë, kryesocialisti sheh si dritë në fund të tunelit, mos dhënien e konsensusit të reformave si dhe kërcënimet e radhës se Partia Socialiste mund t’i rikthehet provokimeve politike jo vetëm përmes protestave, por edhe duke lënë një imazh të hidhur në sytë e ndërkombëtarëve, e cila sigurisht që vlen të shërbejë si një tjetër linjë ‘bllokimi’ atëherë kur Shqipëria paramendon të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Opozita gjithëpërfshirëse e shtatorit, në rastin më të mirë pritet të jetë një opozitë që tentojë me çdo kusht të shantazhojë reformat ligjore si dhe ato të integrimit. Gjithsesi, do apo s’do Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, reformat dhe pjesëmarrja në institucione është një detyrim kombëtarë, në radhë të parë i vetë opozitës dhe më pas i përfaqësuesve të saj. Refuzimi i radhës është një tjetër përpjekje për cenimin e normalitetit dhe stabilitetit politik të vendit, apo më keq akoma një veprim bastard për të mbajtur edhe 1 vit peng marrjen e statusit të vendit kandidat.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›