Trafik armësh e municionesh nga Shqipëria drejt Italisë, Gjykata Lezhë lë në burg 30-vjeçarin

Francesk Mecaj, personi i arrestuar për trafik armësh nga Shqipëria drejt Italisë, është lënë në burg pa afat. Gjykata e Lezhës e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 30-vjeçarit që rezulton me precedent penal në vendin fqinj. Ai u arrestua pak ditë më parë në Malësi të Madhe si personi që kishte futur armë zjarri në një valixhe me qëllim transportimin e tyre.
Burime bëjnë me dije se indiciet erdhën nga një informacion i mbërritur nga Guardia di finanza, ku thuhet se është bërë ndalimi i dy shoferëve të autobusit pasi në një valixhe brenda bagazhit të tyre u gjetën armë zjarri dhe municione, dhe më pas dy të dyshuarit janë vënë në përgjime.
Nga hetimet ka rezultuar se 30-vjeçari Francesk Mecaj më datën 16 korrik ka telefonuar administratorët e linjës me një numër Italian ku i ka kërkuar transportin e një valixheje që sipas tij kishte ushqime. Takimi është realizuar në Milot ku sipas pamjeve filmike, 30-vjecari dorëzon valixhen së bashku me 50 euro, porosi e cila rezulton se më tej është dorëzuar në Itali tek një person i huaj.
3 javë më pas i njëjti person telefonon sërish agjencinë ku do të kryente një tjetër dërgese në Itali. Edhe kësaj radhe takimi u realizua në Milot ku sërish duke iu referuar pamjeve filmike, ka dorëzuar valixhet.
Por kësaj radhë udhëtimi duket se nuk ka shkuar mirë pasi autoritetet italiane ndaluan fugonin ku u kapën 5 armë kallashnikov, 5 krehra dhe 356 fishekë. Në pranga kanë përfunduar dy shoferët Arian Deda dhe Eltion Muca. Ndërkohë që autoritet italiane janë në kërkim të italianit që do të priste valixhen me armë zjarri.
/RTSH/