Trafik droge drejt Italisë/Kapen 14 kg heroinë në portin e Durrësit, vihen në pranga 2 persona

Policia Kufitare e portit të Durrësit ka parandaluar dhe ka goditur një rast të tentativës për trafikim të drogave të forta drejt Italisë.
Gjatë kontrollit me qen anti-drogë janë gjendur të fshehura në autobus dhe janë sekuestruar 26 pako me lëndë narkotike heroinë, me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë.
“Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës material”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas zbulimit të drogës është vendosur në pranga pronari i firmës së linjës së autobusëve dhe drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale “M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”; P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike”
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë. Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.
“Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast”, theksohet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/rtsh.al/