E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbreti” anglez i komunikimit vjen në Tiranë

Mbreti i komunikimit dhe i markentingut, Alastair Campbell, i njohur ndryshe si “njeriu” i Tony Blair do të mbërrijë më 14 tetor në Tiranë. Alastair Campbell ka qenë zëdhënësi dhe drejtori i komunikimit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Me ardhjen e tij në Tiranë, njerëzit e marrëdhënieve me publikun (PR) në Shqipëri do kenë shansin për të pasur ngjarjen e tyre të vitit, sepse do kenë përballë tyre një nga emrat më të njohur në botë të kësaj fushe, njeriu që për vite me radhë ka punuar pranë Tony Blair. Gazeta Mapo ka marrë përsipër rolin e partnerit për median të këtij aktiviteti të organizuar nga kompania “P World” me qendër në Dubai. Gjatë këtij aktiviteti, Campbell do të ndajë me profesionistët vendas të PR-it, komunikimit dhe marketingut çështje mbi komunikimin e krizave dhe marrëdhëniet me mediat. “Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe me padurim po pres që të ndaj njohuritë dhe ndodhitë e mia me kolegët shqiptarë. Komunikimi në situatë krize mund të jetë shpeshherë i koklavitur, por nëse zgjidhet strategjia e duhur do të dilni gjithnjë fitues”, - është shprehur Alastair Campbell. Ai është shumë i njohur për rolin e tij si zëdhënës i ish-kryeministrit britanik Tony Blair, sekretar shtypi dhe drejtor i komunikimit dhe strategjisë së tij për rreth 10 vjet. Përvojë të cilën e ka bërë publike edhe në dy librat e tij: “The Blair Years Diaries” dhe “Part 1 and Part 2”, që kanë bërë bujë në Britani. Gazeta Mapo e ka vlerësuar e para dhe në kohë praninë në Tiranë të Alastair Cambell, shkrimtarit, komunikuesit, autorit të disa librave dhe strategut politik. Atij që sot është pa diskutim një nga personalitet e marrëdhënieve me publikun dhe propagandës dhe kërkohet në të gjithë botën për të dhënë përvojën e tij në këto fusha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›